Blair më 29 janar dëshmon për luftën në Irak
Ish-kryeministri i Britanisë, Tony Blair, do të dëshmojë më 29 janar para Komitetit për hetimin e luftës në Irak, kanë njoftuar zyrtarët e këtij organi.
Blair, popullariteti i të cilit është dëmtuar, për shkak të vendimit të tij që të mbështetë invadimin e SHBA-së në Irak, në mars të vitit 2003, do të përballet me pyetjen e pesë anëtarëve të Komitetit, seancë kjo e cila pritët të zgjatë disa orë.
Hetimi është autorizuar nga pasardhësi i Blairit, Gordon Brown, për të hetuar arsyetimet e paraqitura para parlamentit dhe opinionit publik për t’iu bashkuar luftës, e gjithashtu edhe gabimet e bëra gjatë planifikimit të procesit të rindërtimit pas përfundimit të luftës.
Blair me gjasë do të pyetet për shfrytëzimin e informatave nga ana e qeverisë së tij, për të cilat më vonë u dëshmua se kanë qenë të pasakta dhe në lidhje me akuzat se ai i ka mbështetur planet e George Bushit për invadim qysh në prill të vitit 2002-një vit para se legjislatorët të jepnin pëlqimin për përfshirjen e Britanisë në luftë.
Ish-ambasadori i Britanisë në SHBA, Cristopher Meyer, ka deklaruar para Komitetit hetues se Bush dhe Blair kanë shfrytëzuar takimin e zhvilluar në prill të vitit 2002, në rënçin e Bushit të Texas, për të nënshkruar marrëveshjen për ndërmarrjen e aksionit ushtarak në Irak.
Gjatë dëshmisë që pati para Komitetit të hënën, ish-shefi i personelit të Blairit, Jonathan Powell, mohoi se Blair ka dhënë pëlqimin për invadim qysh në vitin 2002, duke i cilësuar si të paqëndrueshme deklaratat e Meyerit.