50 vjetori i paktit SHBA-Japoni
Japonia dhe SHBA-ja shënuan sot 50 vjetorin e një prej pakteve të sigurisë, që ka definuar periudhën gjatë Luftës së Ftohtë, por niveli i lartë i mosbesimit mes dy vendeve bëri që kremtimi të jetë mjaft i heshtur.
Në Tokio sot nuk u organizuan tubime në nivel shtetëror apo ceremoni, për të shënuar përvjetorin e nënshkrimit të paktit, në vitin 1960, i cili bashkoi dy ish-armiqtë gjatë Luftës së Dytë Botërore kundër Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, shtete këto komuniste.
Gjysmë shekulli më vonë, aleanca është tendosur, që nga ngritja në pushtet e qeverisë së qendrës së majtë në Tokio, para katër muajve. Qeveria e majtë u zotua se do të angazhohet për marrëdhënie të “barabarta” me Washingtonit, pasi që mposhti në zgjedhje konservatorët, të cilët kryesuan Japoninë për gati pesë dekada pa ndërprerje.
Përkundër mosmarrëveshjeve, të dy palët lavdëruan traktatin e nënshkruar më 19 janar të vitit 1960, me të cilin u forcua pakti mes dy vendeve, i nënshkruar në vitin 1951, me të cilin SHBA-së ju mundësua që të stacionojë ushtarët e vet në Japoni dhe të vendosë këtë vend nën ombrellën e vet mbrojtëse bërthamore.
Në kumtesën e përbashkët për shtyp të Ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të të dy vendeve u theksua se traktati i ka kontribuar stabilitetit rajonal.