E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biseda “serioze” mes Seulit dhe Phenianit

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut kanë diskutuar sot për zhvillimin e kompleksit të tyre të përbashkët industrial, përkundër kërcënimeve të fundit të Phenianit se do të ndërpret dialogun, e madje edhe të ndërmarrë sulm ushtarak kundër Jugut.

Dy palët u takuan në qytetin veri-korean, Kaesong, në brezin kufitar mes dy Koreve, takim ky i cili zgjati katër, ka njoftuar Ministria për Bashkim në Seul.

Zëdhënësi i Ministrisë për Bashkim, Chun Hae Sung, cilësoi bisedat si serioze dhe shtoi se ato janë zhvilluar në një “atmosferë praktike”.

Dy palët kanë planifikuar që të zhvillojnë një takim të dytë gjatë ditës së nesërme, para se delegacioni nga Jugu të kthehet në shtëpi, shtoi Chun.

Takimi pasoi pas kërcënimeve të Phenianit se do të ndërpret dialogun me Seulin dhe se mund të ndërmarrë sulme ushtarake, duke reaguar ndaj informatave se Koreja e Jugut ka përgatitur një plan emergjent, për të reaguar ndaj trazirave të mundshme në Veriun e izoluar.

Kaesong, kompleks ky i cili kombinon kapitalin dhe teknologjinë nga Koreja e Jugut, me fuqinë e lirë punëtore nga Koreja e Veriut, është simboli më prominent i bashkëpunimit mes dy Koreve. Në rreth 110 fabrika nga Koreja e Jugut, të cilat veprojnë në këtë kompleks, janë të punësuar rreth 42 mijë punëtorë nga Veriu.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›