E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forcat afgane në gjendje gatishmërie

Udhëheqësi i talibanëve, Mullah Omar, nuk ka gjasa që të bëjë paqe me qeverinë afgane, tha Sekretari amerikan i mbrojtjes, Robert Gejts.

Deklarata e sekretarit Gejts u bë pas sulmeve të përgjakshme që ndodhën në Kabul nga militantët talebanë.

Sipas tij procesi i pajtimit dhe riintegrimit të luftëtarëve talibanë është thelbësor për stabilizimin e Afganistanit.

Shefi i Pentagonit i referohej nismës së udhëheqësve afganë, që synon të bindë luftëtarët militantë, pa lidhje të forta me terroristët, të largohen prej kryengritësve dhe të përfshihen në shoqërinë afgane.

Ndërsa forcat e sigurisë në Kabul vazhdojnë të jenë në gjendje të lartë gatishmërie, një ditë pasi talibanët zhvilluan një valë sulmesh në zemër të kryeqytetit afgan.

Luftimet e të hënës, që u zhvilluan pranë pallatit presidencial, në afërsi të selisë së qeverisë dhe të një hoteli luksoz, lanë 12 të vdekur, ku përfshihen dhe shtatë sulmues.

Forcat afgane në bashkëpunim me trupat e NATO-s arritën të rikthenin rendin pesë orë pas luftimeve.

Presidenti Karzai deklaroi gjatë ditës së djeshme se gjendja është vënë nën kontroll, kurse kreu i NATO-s përgëzoi forcat afgane për rolin e luajtur në mbrojtjen e Kabulit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›