Trashëgimia kulturore, prioritet i ministrit
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, ka takuar, të mërkurën, presidentin e organizatës International Relief Development, Arthur Keys.
Në këtë takim ministri Krasniqi dhe Keys kanë diskutuar për bashkëpunimin në mes Ministrisë dhe IRD-së në fushën e trashëgimisë kulturore.
Ministri deklaroi se trashëgiminë kulturore e ka një ndër prioritetet kryesore për këtë mandat. Ai shtoi se diversiteti kulturor është një nga vlerat e çmueshme të Kosovës që duhet të shërbejë si një pikë e afrimit e jo e ndarjes, siç ka ndodhur në të kaluarën.
Ministri e vlerësoi lart angazhimin e IRD-së në këtë fushë, veçanërisht në projektet që do të realizohen me fondin prej 1.5 milionë dollarësh që MKRS e ka përfituar nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, në të cilat projekte është e përfshirë edhe IRD.
Nga ana e tij, Keys e përgëzoi ministrin Krasniqi për angazhimin e madh të treguar në fushën e trashëgimisë kulturore. Ai vlerësoi lart bashkëpunimin që kanë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe shfaqi shpresën se ky bashkëpunim do të rritet edhe më shumë në të ardhmen.