E Diel, 1 Nëntor 2026

I penduari: Si u njoha me Lul Berishën? Shfrytëzonim femra në Itali



Adriatik Coli, i penduari që hodhi dritë mbi krimet për të cilat akuzohet “Banda e Durrësit”, nisi të flasë para gjykatës. Rrëfimi nisi pas shtyrjeve të shpeshta me arsye dhe pa arsye, për t’u ndërprerë në pjesën më të rëndësishme të tij, atëherë kur Coli nisi të flasë për vrasjet e bandës. E zhvilluar me dyer të mbyllura dhe në supermasa sigurie, nga burime të besueshme mësohet se Coli e ka nisur me mënyrën se si është njohur me Lul Berishën, duke u shprehur se “e kam njohur Lul Berishën në vitin 1994 në Itali. Atëherë merreshim me trafik dhe shfrytëzim femrash. Kur u njohëm, unë isha në Monza së bashku me disa shokë, ndërsa të tjerët në Rimini. Por, një bastisje nga ana e policisë së Monza-s na detyroi që të shkonim edhe ne në Rimini, së bashku me femrat që shfrytëzonim”. Por, në këtë moment të gjyqit kanë ndërhyrë avokatët, të cilët i kanë kërkuar gjykatës të ndërpresë dëshminë e të penduarit Coli, pasi klientët e tyre nuk akuzohen për “trafik dhe shfrytëzim prostitucioni”. Më pas, i penduari vijoi me dëshminë e tij, mbi momentin e forcimit të shoqërisë mes tij dhe Lulzim Berishës. “Ndenja disa kohë në Rimini së bashku me Berishën dhe disa shokë të tjerë dhe më pas shkova në Gjermani. Në vitin 1997 u ktheva sërish në Durrës. Në këtë kohë janë forcuar më tepër marrëdhëniet shoqërore mes meje dhe Lul Berishës. Ai kishte palestrën ngjitur me shtëpinë time. Ka qenë një nga këto ditë kur Lul Berisha pati probleme me disa persona. Së bashku me Plarent Dervishajn dhe disa të tjerë, Lul Berisha shkoi për të vrarë personat me të cilët pati konflikt. Menduam se i kishim vrarë, por vetëm ditën tjetër mësuam se vetëm i kishim plagosur”, - u shpreh i penduari Coli. Pyetjes se nga e dinte këtë episod i penduari, Coli iu përgjigj se: “Isha vetë i pranishëm në ngjarje”. Coli u pyet nga prokurori Anton Martini edhe për organizatën e Lul Berishës me shokë, por ka qenë pikërisht ky momenti kur nisi debati mes avokatëve dhe prokurorëve të çështjes. Avokatët kërkuan që të mos përdoret fjala “organizatë”, pasi sipas tyre nuk ka ende prova që ta dëshmojnë këtë. Ky debat mbi 2 orë e gjysmë shkaktoi zhurmë e pakënaqësi edhe nga të pandehurit e çështjes, duke detyruar kryegjyqtarin të kërkojë menjëherë ndërprerjen e seancës dhe një pushim 10-minutësh. Por, pas kësaj avokatët e të pandehurve nuk u paraqitën më në seancë, duke u rikthyer kështu në shkaktarët e shtyrjes së seancave të njëpasnjëshme ndaj të ashtuquajturës “Banda e Durrësit”.

Seanca

Më në fund, pasi mundën t’i mbyllnin gojën për afro 96 seanca të zhvilluara në më tepër se dy vjet, i penduari i “Bandës së Durrësit”, Adriatik Coli, nisi të flasë. Por vetëm pak, ose e thënë më mirë aspak krahasuar me atë që prisnin dje prej tij dy prokurorët e çështjes. Por, para trupit gjykues i penduari arriti të tregojë vetëm njohjen me Lulzim Berishën dhe disa nga të pandehurit e tjerë, forcimin e lidhjeve mes tyre dhe në këtë moment të rëndësishëm kur po flitej për krimet e para të kryera, njëri prej avokatëve “u sëmur”, duke kërkuar shtyrjen e gjyqit për disa minuta. “Piva një kafe dhe më ka prishur”, - u shpreh avokati i të pandehurit të sapoekstraduar Kristian Begu, Pjetër Deda, të cilit kolegët, por edhe klienti i tij e “këshilluan” të largohej nga seanca për t’u qetësuar. Seanca u shty për disa minuta, por avokati “i sëmurë” nuk u kthye më në gjykatë.

Debatet

Nuk ka kaluar as kjo seancë pa debate të vazhdueshme mes prokurit dhe avokatëve. Kanë qenë disa ndërhyrje të prokurorit për saktësime të ngjarjeve, për të cilat i penduari po dëshmonte që kanë irrituar avokatët, duke akuzuar përfaqësuesin e akuzës për sugjestionizëm të të penduarit. Kjo solli edhe largimin e avokatit Riza Hicka nga salla e gjyqit. Megjithëkëtë reagim të avokatit Hicka, Coli ka vijuar të dëshmojë jo vetëm për njohjet me Berishën, por edhe për një ngjarje kriminale ku kishte marrë pjesë edhe vetë, pasi kishin plagosur një kundërshtar të bandës, të cilin e dinin të vdekur. Në këtë moment, po sipas burimeve të besueshme, i pandehuri Kristian Begu ka kërkuar të largohet nga salla, por jo vetëm, por duke kërkuar të njëjtën gjë edhe nga avokati i tij, Deda. Në këtë moment, avokati “u sëmur”, duke u shprehur para gjykatës se kishte konsumuar një kafe në mëngjes dhe ajo e ka prishur. E ndodhur në këto kushte, Gjykata e Krimeve të Rënda shtyu procesin për 10 minuta me shpresën se shëndeti i avokatit do përmirësohej, por kur palët u mblodhën në sallë për të vijuar më tej me dëshminë e Colit, avokati Deda mungonte. Për këtë arsye, gjykata e shtyu seancën për të enjten.

Coli: Si e njoha Lul Berishën

“E kam njohur Lul Berishën në vitin 1994 në Itali. Atëherë merreshim me trafik dhe shfrytëzim femrash. Kur u njohëm unë isha në Monza së bashku me disa shokë, ndërsa të tjerët në Rimini. Por, një bastisje nga ana e policisë së Monza-s na detyroi që të shkonim edhe ne në Rimini, së bashku me femrat që shfrytëzonim”. Por, në këtë moment të gjyqit kanë ndërhyrë avokatët të cilët i kanë kërkuar gjykatës të ndërpresë dëshminë e të penduarit Coli, pasi klientët e tyre nuk akuzohen për “trafik dhe shfrytëzim prostitucioni”. Ndenja disa kohë në Rimini së bashku me Berishën dhe disa shokë të tjerë dhe më pas shkova në Gjermani. Në vitin 1997 u ktheva sërish në Durrës. Në këtë kohë janë forcuar më tepër marrëdhëniet shoqërore mes meje dhe Lul Berishës. Ai kishte palestrën ngjitur me shtëpinë time. Ka qenë një nga këto ditë kur Lul Berisha pati probleme me disa persona. Së bashku me Plarent Dervishajn dhe disa të tjerë, Lul Berisha shkoi për të vrarë personat me të cilët pati konflikt. Menduam se i kishim vrarë, por vetëm ditën tjetër mësuam se vetëm i kishim plagosur. Atë ditë isha vetë i pranishëm në ngjarje”, - deklaroi Coli.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›