E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trazira gjatë përvjetorit të revolucionit në Iran

Me qindra mijëra ithtarë të qeverisë u tubuan sot në qendër të Teheranit, për të shënuar përvjetorin e revolucionit islamik, ndërsa forcat e sigurisë reaguan me shpejtësi, për të shpërndarë tubimet e ithtarëve të opozitës.

Policia u përlesh me protestues në disa pjesë të Teheranit, duke përdorë gaz lotsjellës, njoftuan faqet e opozitës në internet.

Me dhjetëra ithtarë të opozitës, të armatosur me shkopinj, kanë sulmuar konvojin e udhëheqësit të opozitës, Mahdi Karroubi, në momentin kur ai kishte tentuar t’i bashkohej protestave, deklaroi i biri i tij, Hossein Karroubi.

Sulmuesit, për të cilët besohej se ishin pjesëtarë të njësisë civile religjioze, Basij, dëmtuan disa automjete dhe thyen xhamin e automjetit të Karroubit, por ai nuk pësoi lëndime.

Forcat e sigurisë për një kohë të shkurtë arrestuan edhe mbesën e Ayatollah Khomeinit, arkitektit të revolucionit islamik në vitin 1979, si dhe bashkëshortin e saj.

Një numër i madh i pjesëtarëve të forcave të sigurisë, përfshirë këtu edhe pjesëtarë të Gardës Revolucionare, u pozicionuan në sheshet kryesore të Teheranit, për të parandaluar protestat e opozitës.

Manifestimet e sotme ishin një mundësi për regjimin e klerikëve në Iran që të nënvizojnë fuqinë e tyre.

Gjatë fjalimit të tij para ithtarëve të regjimit, presidenti i Iranit, Mahmoud Ahmadinejad, theksoi se Irani ka prodhuar sasinë e parë të uraniumit të pasuruar në nivel më të lartë, duke theksuar se Irani nuk do të gjunjëzohet para trysnisë së Perëndimit për të ndalur programin bërthamor të Iranit.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›