Afrika e Jugut shënon 20 vjetorin e lirimit të Mandelës
Afrika e Jugut kremtoi sot ngjarjen, e cila hapi shtegun për përmbysjen e aparthejdit para dy dekadave: lirimin e Nelson Mandelës, pas 27 viteve të kaluara në burg.
Me mijëra njerëz u tubuan në manifestimin në afërsi të Cape Townit, në vendin që në vitin 1990 njihej si Victor Verster, burgu i fundit në të cilin ka qëndruar Mandela para lirimit të tij. Para saktësisht 20 viteve, Mandela doli duke ecur nga Victor Vester, i kapur për dore me bashkëshorten e tij të atëhershme, Winnie.
“Ne ishim të vetëdijshëm se liria për të nënkuptonte arritjen e lirisë për të gjithë ne”, theksoi Cyril Ramaphosa, udhëheqës i partisë së Mandelës, Kongresi Kombëtar Afrikan, i cili ishte kryesues i Komitetit të mikpritjes, i cili priti Mandelën pas lirimit të tij nga burgu në vitin 1990.
Vetëm katër vite pas lirimit të Mandelës, Afrika e Jugut zhvilloi zgjedhjet e para të lira, në të cilat morën pjesë pjesëtarët e të gjitha racave, me ç’rast Mandela u zgjodh presidenti i parë me ngjyrë i Afrikës së Jugut.