Cilin Berishë duhet të besojmë për çështjen e Kakomesë?
Kur ishte në opozitë, Berisha ka thënë që “pronarë të fshatit Kakome, janë banorët e kësaj zone, por fshati turistik që po ndërtohet është pronë e Fatos Nanos”. Argumenti që kishte Berisha ishte se, vetëm nëse qëndron kryeministri pas firmës që ndërton fshatin, mund t’ua marrë tokën fshatarëve me arrogancë, pa i pyetur. Askush, sipas Berishës, nuk mund ta bënte këtë, nëse nuk do të ishte kryeministri.
E besuam dhe ne, dhe shqiptarët këtë deklaratë. Në vitin 2008, Berisha po çon prapë fadromat të ndërtojë atë fshat turistik. Fshatarët sërish po i zënë rrugën. Logjika më e thjeshtë që bazohet tek ajo ç’ka ka thënë Berisha, të çon në përfundimin se pas ndërtuesve të fshatit turistik, tashmë qëndron Berisha, pasi vetëm një kryeministër mund të guxojë t’u marrë tokën të tjerëve.
Nëse nuk është kështu, atëherë Berisha duhet të dalë publikisht dhe të tërheqë ato që ka thënë më parë. Ndryshe, të gjithë kemi të drejtë të besojmë se, përmes mekanizmave që vuri nën kontroll për ndërtimet në bregdetin shqiptar në Jug, ai ose familja e tij, qëndron pas ndërtimit të fshatit turistik të Kakomesë.