Një rast që dëshmon si është situata në Mitrovicë
Se sa e thellë vazhdon të jetë ndarja mes bashkësive etnike në Mitrovicë, tregon edhe rasti i një qytetari shqiptar, Ali Kadriut, të cilit nuk po i lejohet kthimi në pronën e tij.
Serbët lokalë po pengojnë atë që të rindërtojë dy shtëpitë e dëmtuara gjatë luftës, që ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës. UNMIK-u i ka kërkuar z. Kadriu që të pezullojë punët për rindërtimin e shtëpisë së tij, pas përleshjeve ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve për këtë çështje.
Por, Ali Kadriu shprehet i vendosur për t'u kthyer në pronën e tij. "Unë do të vazhdoj punën, sepse e di që me ligj dhe me konventa ndërkombëtare, nuk ka askund në botë që i ndalohet dikujt të shkojë në pronën e tij”. UNMIK-u ka pranuar se ka ndërhyrë për të penguar vazhdimin e punëve për rindërtimin e shtëpive të familjes Kadriu në veri të Mitrovicës.
Një zëdhënës i UNMIK-ut, citohet në media që thotë se “kanë kërkuar pezullimin e punëve, për shkak të tensionimit të situatës dhe në funksion të ruajtjes së qetësisë”(!!)
Ç’kusur kanë shqiptarët të vuajnë gjëra të tilla në pronën e tyre? Mendojeni sikur të ishit në vend të këtij qytetari, të ikën mendja.