E Diel, 1 Nëntor 2026

Dikush tua japë këtë libër parlamentarëve dhe Topallit

E nderuar redaksi! Doja të sillja në këtë forum të dashur lexuesish një pjesë nga një shkrim i djeshëm në shtyp, ku citohet një botim i fundit historik, e që meriton vëmendjen e parlamentarëve, sidomos për etikën që këta burra e gra, manifestojnë në sjelljen mes tyre e me publikun:

“Në memorien tonë historike, me siguri, për shkak të ndërrimit të dhunshëm të pushteteve në vitin e famshëm 1924, ka zënë shumë vend ideja e kacafytjes se paprinciptë, të egër, të vazhdueshme e të përhershme, midis Fan Nolit e Ahmet Zogut. Po, kjo kacafytje ka ekzistuar, por nënvizimi historik i saj është më i madh sesa duhet. Në marrëdhëniet mes tyre ka pasur dhe stil aristokratik, dhe skrupuj patriotikë dhe etiketë politike. Gjatë gjithë debatit parlamentar të sjellë në librat në fjalë, nuk gjen qoftë dhe një teprim të vetëm nga njëri apo nga tjetri. Madje, gjen të kundërtën, përmbajtje e delikatesë. Vëzhgimit të Ahmet Zogut, se "Imzot Fan Noli asht një orator i zoti", ky i dyti i përgjigjet me fjalët: Edhe zoti ministër i Brendshëm nuk bie poshtë në zotësi të fjalës. Mungesa e kujdesit ndaj njëri-tjetrit shkon deri te frazat, "Imzoti flet hovarda", dhe "Imzoti asht përgjumshëm e nuk ka marr vesht shka asht fol" të lëshuara prej Zogut, apo te ndonjë ironi therëse e Fan Nolit.

Të gjithë e dimë që në vitet e mëpasshme, marrëdhënia mes tyre ka marrë një dinamikë më të vrullshme e më agresive, por në nivelin parlamentar, kjo marrëdhënie ka mbetur armiqësisht korrekte. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për marrëdhëniet e të tjerëve, rrjedhimisht për gjithë jetën e klimën parlamentare.

Duke ecur më tutje, ajo që të befason më shumë, ka të bëjë me thelbin e debatit parlamentar, nga i cili ne kemi mundësi të marrim vesh formimin politik të njërit apo tjetrit. Është interesante të vihet re që Fan Noli, në më shumë se në një rast, e qorton kryetarin e parlamentit, Eshref Frashërin, për qasjen partizane në ushtrimin e funksioneve të tij, dhe ky i dyti, i vënë me shpatulla pas muri, përpiqet të justifikohet, gjë që lë të nënkuptohet se nga askush nuk mund të pranohej roli i anshëm i një kryetari të Parlamentit (dikush duhet t‘ia japë këtë libër Jozefina Topallit, sjellja e së cilës nuk ka të dytë në historinë parlamentare të shqiptarëve)”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›