E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre adoleshentë kërkojnë atësinë e vogëlushes Maisi

Lajmi që një 13-vjeçar qe bërë baba zuri menjëherë faqet e para të gazetave e revistave britanike, ashtu si edhe kronikat kryesore të lajmeve televizive. Por tani çështja është kthyer në rend dite në çastin kur edhe dy adoleshentë të tjerë pretendojnë atësinë e vogëlushes Maisi. Pasi tabloidi "Sun", aq kishte hedhur në faqen e parë foton e një adoleshenti baba me të bijën në dorë, fryt i marrëdhënieve seksuale me një 15-vjeçare, gazeta "Daily Telegraph" u hodh në kundërsulm: dy adoleshentë të tjerë, njëri 16-vjeçar e tjetri 14-vjeçar pretendojnë se janë baballarët e foshnjës.

I pari, Riçard Gudsell, këmbëngul se ka pasur raporte të rregullta seksuale me Shantel Stidman, mamanë e foshnjës, në periudhën gjatë së cilës ka mbetur shtatzënë dhe ka kërkuar një test ADN-je për të zgjidhur dilemën: "E di që mund të jem unë babai, të gjithë mendojnë kështu. Shokët më thonë se vogëlushja ka sytë e mi, edhe ime më e pranon se më ngjan shumë. Kam të drejtën ta di me saktësi". Tjetri është 14-vjeçari Tailer Barker, por - shkruan "Daily Telegraph" - është i llahtarisur nga ideja e të qenit ai babai: "Kam bërë dashuri me Shantel para nëntë muajsh dhe kam vërtet frikë se mund të jem unë babai".

Babai 13-vjeçar

"13-vjeçari Alfi, rezident i Istburnit, u bë baba para katër ditësh" shkruante artikulli i "Sun". "E dashura e tij, 15-vjeçarja Shatel, solli në jetë Maisi Roksanën, në një spital të Suseksit Lindor". "Dëshironim ta sillnin në jetë këtë fëmijë", i kishin thënë të dy gazetarit të "Sun" që i intervistoi.

Alfi përshkruhet si fëmijë i ndrojtur, por i vendosur. "Mendova se do kish qenë bukur të kisha një fëmijë", shpjegonte në intervistë. "Do të jem i dashur e do kujdesem për time bijë". "Sun" bën gjithashtu me dije se Alfi ishte 12 vjeç në çastin e fillimit të shtatzënisë së të dashurës. Në një çast të dy kishin rënë dakord të mos u tregonin asgjë prindërve duke marrë vendimin që fëmija të vinte në jetë, por plani nuk zgjati shumë: pas pak kohësh Shantel e pati të pamundur të fshihte shtatzëninë dhe që nga ai çast, prindërit e të dyve, që sot janë bërë gjyshër, vendosën t‘i ndihmonin bijtë. "Alfi vazhdon të luajë si gjithnjë me Playstation, por shkon çdo ditë në klinikë për të vizituar të bijën", tha i ati i 13-vjeçarit. "Im bir nuk e kupton sa e rëndë është kjo situatë, por ka vendosur të jetë baba i përgjegjshëm".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›