E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perëndimi në Afganistan, "njësoj si sovjetikët"

Bombat e avionëve ndezën fshatin afgan, Ali Mardan, ndërsa të gjithë festonin në një dasmë. Gjetën vdekjen 30 burra, gra dhe fëmijë. Pasi tymi u davarit e varrosën të vrarët, të gjithë burrat e fshatit morën e armët e u ngritën kundër pushtuesit sovjetik. Kjo ndodhte në vitin 1982, por për korrespondentin e agjencisë "Reuters" Abdyl Sabur, trupat e armatosura të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe ato të NATO-s po përsërisin të njëjtat gabime dhe rrezikojnë po aq shumë sa sovjetikët të bëhen pre e një revolte mbarëpopullore.

Sipas OKB-së, një seri sulmesh ajrore nga forcat e NATO-s e të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vranë 455 civilë gjatë vitit të shkuar. Veçanërisht rreziku është i madh gjatë dasmave, prej numrit të madh të të pranishmëve, por edhe prej zakonit afgan për të shtënë në ajër. Vetëm gjatë vitit të shkuar avionët amerikanë goditën dy dasma dhe hakmarrja për këtë popullsi është veprim i detyrueshëm.

Në fshatin Ali Mardan, pranë Kabulit, kryeqytetit të Afganistanit, fshatarët vazhdojnë t‘i vizitojnë rregullisht varret e të vrarëve prej atij bombardimi nga ana e sovjetikëve dhe i mbajnë ende në vende të dukshme fotot e tyre, për të kujtuar mizorinë e luftës. "Isha nëntë vjeç. Ishin orët e para të mëngjesit ditën e martesës së sime motre, kur avionët na bombarduan", kujton Abdyl Bashir. "Mund ta shihni që atë ditë humba një sy, si edhe disa dhëmbë. Edhe im vëlla u plagos. Motra, babai dhe xhaxhai im u vranë. Nuk do ta harroj kurrë atë ditë".

Fillimisht liderët sovjetikë e refuzuan kërkesën e qeverisë marksiste të Kabulit për të dërguar trupa kundër luftëtarëve islamikë në zonat rurale, prej frikës se mund të ziheshin në kurth në brendësi të vendit, tamam siç kishte ndodhur me britanikët në shekullin XIX. Por më 25 dhjetor të vitit 1979, qindra tanke sovjetike mbushën rrugët e vendit e mijëra trupa u transportuan përmes aeroportit të Kabulit. Pavarësisht 120 mijë ushtarëve sovjetikë të mbështetur nga 300 mijë forca qeveritare afgane, sovjetikët nuk arritën të shuanin revoltën e luftëtarëve muxhahedinë, të mbështetur me para e armë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rreth 15 mijë ushtarë gjetën vdekjen përpara se Moska të kuptonte se nuk mund ta fitonte këtë luftë e të tërhiqte trupat nga vendi në vitin 1989. Deri në atë kohë kishin humbur jetën rreth 1 mijë afganë dhe 5 milionë të tjerë qenë strehuar si refugjatë në Pakistan e Iran.

Tani shigjetat janë kthyer dhe Shtetet e Bashkuara po vendosin të dërgojnë apo jo edhe 25 mijë trupa të tjerë, për t‘ia shtuar forcës perëndimore të përbërë nga rreth 70 mijë njerëz, të ngujuar në një betejë të verbër me rebelët e drejtuar nga krerët talebanë. "Po ju them një gjë me siguri, që nëse NATO dhe Amerika e përqendrojnë gjithë vëmendjen te lufta dhe investojnë vetëm në planin ushtarak, nuk kanë shanse të fitojnë", tha për "Reuters" ish-lideri Muxhahedin dhe ish-presidenti afgan, Burhanudin Rabani.

Është një mësim që Amerika dhe forcat e NATO-s duhet ta mësojnë patjetër për të mos pësuar fatin e ish-kundërshtarit të epokës së Luftës së Ftohtë.

"Nuk besoj se NATO ka arritur ta kuptojë sa serioze është kjo çështje", tha një analist perëndimor në Kabul. "Sigurisht që kanë bërë ç‘kanë mundur për të shmangur viktimat civile, por nuk kanë arritur ta kuptojnë në thelb këtë vend dhe banorët e tij". Të njëjtën bindje ka edhe Burhanudin Rabani: "Gjatë operacioneve ushtarake janë bërë disa gabime dhe ç‘është më e keqja, vazhdojnë të përsëriten. Janë të njëjtat gabime që bënë edhe sovjetikët".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›