E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në Korçë me "Kohë për t‘u çmendur"

"Kohë për t‘u çmendur". Nën këtë titull ka zbritur në Korçë jo vetëm një komedi brilante, por edhe më tej se kaq një inskenim i veshur me petk aktorësh gjigantë, jo nga përmasat trupore, por nga interpretimi dhe madhështia e tyre si aktorë të skenës. Roland Trebicka përkrah Rajmonda Bulkut, i është bashkuar aktorëve korçarë në një komedi që ka përhapur jo vetëm humorin, por edhe ka rikthyer mes publikut korçar në këtë sezon emra të përmasave kombëtare. Trupa e aktorëve mes të cilëve është rikthyer në skenën e teatrit "Çajupi" edhe aktori Roland Trebicka, kanë interpretuar përmes humorit fatin e një individi në kohën e një shoqërie në tranzicion. Pikënisja mund të ishte një dramë. Megjithatë, vepra e vënë në skenën e teatrit të Korçës ka qenë një komedi, me ngjarje që i përkasin kohës së sotme. Ajo është përcjellë përmes humorit për publikun korçar. Jo pa qëllim ka qenë kjo zgjedhje e regjisorit Gëzim Kame, në veprën e cila është bazuar në skenarin e Kiço Blushit. Nëpërmjet humorit, regjisori Kame ka sjellë pjesët e një realiteti, i cili mund të shikohet edhe ndryshe, jo për nga dramaticiteti, por nga optimizmi dhe ngjyrosja me nota gazmore. Aktorët e Teatrit Kombëtar, Trebicka dhe Bulku, kanë interpretuar me trupën e Korçës. Në qendër të komedisë, personazhi kryesor interpretuar nga Roland Trebicka me batutat dhe humorin e zgjedhur, ka përcjellë individin mes një shoqërie që duket se ka humbur vlerat morale dhe njerëzore në kushtet e tranzicionit. Fati i keq përbuzet dhe me të tallet edhe vetë personazhi, por njëkohësisht ai pranon që jeton në rrjedhën e një çmendurie të vetë kohës dhe si pasojë është pjesë e kësaj çmendurie. Nuk flitet për moral dhe as për norma njerëzore, që e bën personazhin të kuptojë se shoqëria nuk ka nevojë për njerëz të ndershëm e për virtyt. Por përmes kësaj loje dhe jetese në tranzicion ai rebelohet edhe vetë shoqërisë së pamoralshme. Për autorin e kësaj komedie edhe vetë realiteti është si një skenë plot me dramatizëm, por dhe aq komik njëkohësisht, ndërsa për publikun ta shohësh këtë realitet në një pjesë skene është e magjishme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›