Ish-zyrtarët e transporteve kërkojnë pafajësi nga gjykata
Kanë kërkuar pafajësi që të gjithë ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve që janë akuzuar për korrupsion aktiv dhe pasiv në tenderimin e disa rrugëve kombëtare. Dje, në Gjykatën e Tiranës, ka qenë radha e mbrojtjes për të lexuar konkluzionet përfundimtare. Avokati i ish-zëvendësministrit Nikolin Jaka i ka konsideruar si të paligjshme përgjimet e bëra nga prokuroria, që aktualisht janë edhe prova kryesore e këtij procesi. Vetë Jaka në fjalën e tij të fundit ka deklaruar se ai nuk kishte pasur kompetenca ligjore mbi drejtorin e përgjithshëm të Rrugëve dhe kësisoj nuk kishte se si të kishte ndikuar tek ai për çështjen e tenderëve. Ish-zëvendësministri është përpjekur të shpjegojë edhe telefonatën e përgjuar midis tij dhe Berzanit. Në këtë bisedë të zhvilluar në muajin gusht të vitit të kaluar dhe të paraqitur nga prokuroria si provë kryesore, Berzani e njofton Jakën për mosmarrëveshjen midis firmave dhe kërkesat e tyre. Përgjigja e Jakës ishte: "Ilirian, dëgjo, po më acaron kjo toleranca jote e famshme. O zotërinj thuaji, kjo është skema, është e bërë, është e mbaruar, në qoftë se e do këtë. Mirë, po se deshe këtë thuj nuk bëhet. Kaq". Dje, ish-zëvendësministri deklaroi se me fjalën skemë nuk ka pasur ndërmend ndonjë skemë korruptive, por skemën e përcaktuar nga ligji për zhvillimin e tenderit. Kësisoj ai ka tentuar ta paraqesë këtë term si një ngatërresë gjuhësore, që nuk kishte lidhje me ndonjë shkelje ligjore.
Të njëjtin pozicion kanë mbajtur edhe të pandehurit e tjerë që kanë deklaruar se nuk ka pasur asnjë shkelje në veprimtarinë e tyre. Shtatë të pandehurit e kësaj çështjeje janë akuzuar për abuzime me tenderët e rrugëve Has-Qafë Prush, Himarë e vjetër-Kthesa e Kikurit, rruga paralele Tiranë-Vorë dhe supervizioni i Rrëshen-Kalimash. Prokuroria ka kërkuar dënimin e tyre me një total prej 19 vitesh burg.