E Shtunë, 31 Tetor 2026

Imuniteti i Mediut, depozitohet në prokurori kërkesa e Kuvendit

Kuvendi Shqiptar depozitoi në Prokurorinë e Përgjithshme kërkesën zyrtare për materiale shtesë lidhur me marrjen e autorizimit për ndjekjen penale të ish-ministrit të Mbrojtjes, deputetit Fatmir Mediu, për ngjarjen e ndodhur më 15 mars në Gërdec të Bashkisë së Vorës. Prokuroria ka filluar shqyrtimin e kësaj kërkese për të dalë më pas në një përfundim rreth saj. Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, në një konferencë për shtyp, rreth 10 ditë më parë, bëri të ditur se i kishte kërkuar Kuvendit autorizim për ndjekjen penale të ish-ministrit të Mbrojtjes, deputetit Fatmir Mediu, për ngjarjen e 15 marsit në Gërdec, kur në fabrikën e demontimit të municioneve ndodhi një shpërthim i fuqishëm. Në të humbën jetën 26 vetë dhe u plagosën rreth 300 të tjerë. Por gjatë mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imunitetit, mbajtur të martën e kaluar, kryetari i grupit parlamentar të PR-së, Arian Madhi, kërkoi që kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, të shoqërohet dhe me dokumentacionin përkatës. Ndërkaq, dje në Kuvend, tragjedia e Gërdecit është bërë sërish objekt debati në seancën plenare. Ashtu si edhe herët e tjera, kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj, ka rikujtuar kërkesën e opozitës që Kryeministri Berisha të paraqesë në Kuvend raportin e saktë të dëmeve të shkaktuar nga kjo tragjedi, si edhe faturën konkrete të tyre. Por kërkesa e saj ka rënë në vesh të shurdhër, pasi duke iu kujtuar rregulloren, kryetarja e Kuvendit është shprehur se ajo interpelancë nuk ka për t‘u kryer, pasi është konsumuar një herë. Ndërsa për faturën financiare, Topalli është shprehur se do të pyesin te Ministria e Financave.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›