Oketa: Më shumë hetime për Gërdecin
Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, kërkoi nga Prokuroria e Përgjithshme që të thellojë hetimet për ngjarjen e Gërdecit për të zbardhur të vërtetën dhe për të vënë përpara drejtësisë fajtorët. Fenomeni "Gërdec" është kthyer tashmë në një spirale të re të politikës shqiptare, ku ka zbuluar hapur përplasjet mes Partisë Demokratike dhe asaj Republikane. Nga njëra anë republikanët i cilësojnë hetimet e prokurores Ina Rama si tendencioze dhe të njëanshme, ndërsa ministri i ri i Mbrojtjes në të njëjtën linjë me Presidentin e Republikës i ka kërkuar asaj të thellojë hetimet për ngjarjen që tronditi jo vetëm banorët e Bashkisë Vorë dhe të zonave përreth, por edhe themelet e shtetit shqiptar. Ministri Oketa ka paralajmëruar dje ndryshime në institucionin e Ministrisë së Mbrojtjes. Ngjarja e Gërdecit ka qenë një shtysë e fortë që e detyron shefin e Ministrisë së Mbrojtjes të nisë reformën në ministrinë që drejton, por edhe në Shtabin e Përgjithshëm, kryesisht në ato drejtori që kryejnë funksione të njëjta. "Do të ketë ristrukturim të Ministrisë së Mbrojtjes për shumë arsye, jo vetëm thjesht për faktin që ajo çka ka ndodhur në Gërdec do të shërbejë si pikënisje për gjërat që nuk kanë funksionuar, por edhe se ajo është një strukturë e fryrë, pasi në Ministrinë e Mbrojtjes dhe në Forcat e Armatosura ka drejtori që kryejnë të njëjtin funksion", tha Oketa. Ministri ka premtuar se nuk do të ketë struktura paralele mes Shtabit dhe kësaj ministrie. Oketa i bëri thirrje Prokurorisë së Krimeve të Rënda të "thellojë hetimet për zbardhjen e tragjedisë së Gërdecit". Në lidhje me arrestimet e dy ish-zyrtarëve të kësaj ministrie Oketa shtoi se "mbështeste çdo vendim të drejtësisë për Gërdecin", ndërsa nuk komenton deklaratat e paraardhësit e tij, Fatmir Mediut. Ministria e Mbrojtjes do të ketë transparencë të plotë dhe do të mbështesë hetimet që do të ndihmojnë në zbardhjen e së vërtetës. Sipas Oketës, "Gërdeci, nuk duhet të trajtohet si një aksident i thjeshtë, por si një ngjarje që duhet të vendosë përpara ligjit përgjegjësit". Ministri Oketa paralajmëron "ndryshime" në dikasterin që ai drejton. Ai ishte duke bërë nderim për të rënët për çlirimin e Shqipërisë, me rastin e 5 Majit, në momentin kur deklaroi riformatimin që do të prekë ministrinë e drejtuar prej tij që pas dorëheqjes së kreut të republikanëve, Fatmir Mediut. Oketa bëri me dije se do të ketë ristrukturim të Ministrisë e Mbrojtjes për shumë arsye, jo vetëm thjesht për faktin që ajo çka ka ndodhur në Gërdec do të shërbejë si pikënisje për gjërat që nuk kanë funksionuar, por edhe se ajo është një strukturë e fryrë, pasi në këtë ministri dhe në Forcat e Armatosura ka drejtori që kryejnë të njëjtin funksion. "Nëse ishte një aksident nga pakujdesi, apo komente të ndryshme, janë organet kompetente që do të thonë fjalën e fundit", tha Oketa.