E Diel, 1 Nëntor 2026

Tritoli në Kosovë, bllokohen kontratat në Ministrinë e Mbrojtjes

Oficerët e policisë gjyqësore pranë Prokurorisë së Tiranës kanë bllokuar të gjithë praktikën e ndjekur nga dy ish-funksionarët e arrestuar të Ministrisë së Mbrojtjes për dhënien e licencave për përdorimin e lëndëve plasëse. Organi i akuzës deklaron se qëllimi i sekuestrimit të dokumentacioneve është kryer pasi ka informacione se zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes kanë abuzuar me dhënien e lejeve për tregtinë e lëndëve plasëse, ndërsa kanë marrë ryshfet në këmbim të lehtësirave të subjekteve private në këtë tregti. Mësohet se në këmbim të lejimit të procedurave për importin dhe eksportin e municioneve për qëllime shërbimi nga civilët, zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes përfitonin 2 mijë euro për çdo leje. Prokuroria e Tiranës tha dje se ka thelluar hetimet për skandalet e ripërsëritura në Dikasterin e Mbrojtjes, duke faktuar shkelje në Drejtorinë e Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve. Dyshohet se firmat private tregtonin "me leje" armë në Kosovë, kryesisht tritol. Gjithsesi, burime nga Task-Forca thanë se hetimet e mëvonshme do të zbulojnë të gjitha dyshimet, ku disa persona kanë marrë ryshfet në këmbim të lejimit të municioneve. Një tjetër masë e organit të akuzës është edhe verifikimi i subjekteve private të kontraktuara nga Ministria e Mbrojtjes për tregtimin e sasisë së municionit te civilët. Është zbuluar fakti se dy pronarët e arrestuar të firmave private, në këmbim të procedurave të përshpejtuara nga Ministria e Mbrojtjes, jepnin ryshfet prej 2 mijë eurosh zyrtarëve. Organi i akuzës tha dje se nga hetimet paraprake janë zbuluar rreth 10 raste, ku dyshimet janë vërtetuar nëpërmjet vëzhgimeve dhe përgjimeve të policisë dhe prokurorisë për të dyshuarit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›