E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre ditët e dramës Kush ka frikë nga Virginia Woolf

Në datat 15-16-17 janar ora 19.00 në sallën Kadri Roshi të Teatrit Kombëtar do të shfaqet Kush ka frikë nga Virginia Woolf. Kjo vepër është vënë në skenë nga Kushtrim Bekteshi, një regjisor i ri shqiptar nga Maqedonia. Vepra më e njohur e dramaturgut amerikan Edward Albee do të interpretohet nga aktorët Eva Alikaj, Viktor Zhusti, Helidon Fino dhe Eftiola Laçka. Titulli i dramës nuk ka të bëjë fare me autoren angleze Virginia Woolf, e njohur për idetë

e saj në lidhje me emancipimin e gruas në jetën shoqërore. Drama trajton gruan në përgjithësi në ambientin e saj familjar, në luftë me problemet e përditshme, në raport me bashkëshortin dhe dyshimet që lindin në këtë marrëdhënie. Regjisori Kushtrim Bekteshit vlerësohet për talentin dhe pjekurinë e tij profesionale, si edhe nivelin bashkëkohor të inskenimit. Ai ka mbaruar Akademinë e Arteve në Shkup, ku ka marrë mësim edhe nga Slobodan Unkovski, që është një regjisor shumë i njohur në Ballkan. Në Tiranë ai ka vënë në skenë Xhaxha Vanja" të Çehovit. Nga ana tjetër, drama amerikane, ishte diçka më shumë sesa një premierë teatrore për aktoren e njohur Eva Alikaj, e cila me rolin e Martës, i rikthehet teatrit shqiptar. Regjisori Bekteshi thotë se kjo dramë përngjan me ditët në të cilat ne jetojmë. Qëllimi ynë me ekipin ka qenë që të futemi sa më thelle dhe ti sjellim sa më të vërtetë në skenë. Nuk bëhet këtu punë dominimi i gjinisë femërore ose gjinisë mashkullore, ose është folur shumë për këtë. Kjo vepër flet për njerëz, të cilët kanë frikë ta jetojnë jetën pa iluzione, shprehet regjisori Bekteshi. Vepra Kush ka frikë nga Virginia Woolf" u shkrua nga Albee më 1962 dhe në versionin e tij kinematografik u interpretua nga Elisabet Teylor. Ajo është cilësuar si një nga kryeveprat e dramaturgjisë amerikane të shekullit XX, e cila që nga premiera e parë në Billy Rose Theatre-Broaday, Nju-Jork (1962) e deri më sot kudo që është vënë në skenë ka ngjallur shumë debate që prekin thelbin e shoqërisë-familjen. Suksesi i kësaj vepre kryesisht qëndron në përmbajtjen e saj tejet të guximshme dhe në trajtimin e temave (shpesh të konsideruara si tabu tema) që janë shumë aktuale për kohën, siç janë: imazhi i dyfishtë në bashkëshortësi, imazhi i rrejshmën që prezantohet para botës dhe ai i vërteti që ekziston brenda katër mureve; frika për tu ballafaquar me të vërtetën dhe ikja nga realiteti, shpresat dhe dështimet në një lidhje bashkëshortore, etj. Ndërkohë që në vijim të kësaj jave në sallone vogël të TK pritet të rikthehet komedia Romancë dashurie, me regji të Milto Kutalit, shkruar prej autorit italian Aldo de Bendedetti. Nën interpretimin e aktorëve Bujar Asqeriu (Artist i Merituar), Anila Bisha, Roland Trebicka (Artist i Merituar) dhe me skenografi Sabri Basha, vepra ka në qendër raportet familjare. Ajo sjell për publikun situata plot humor që provokohen nga ngacmime të shpirtit aventurier të protagonistëve e që më pas prodhojnë realitete që mund të cenojnë, madje të çojnë deri në shkatërrimin e familjes. Heronjtë, protagonistët e veprës, janë pjesë e të përditshmes moderne. Si të tillë ata nuk provojnë precedentin ndarje, pasi shoqëria e sotme, edhe pse jo rëndom, prodhon ende shpirtra të brishtë që kanë të qëndrueshëm gjenin e së mirës njerëzore, vendosur kjo natyrshëm në frymën sunduese të mesazhit të komedisë: Familja duhet mbrojtur me çdo kusht. Romancë dashurie është një produksion i Teatrit Kombëtar në bashkëpunim me Egnatia Teatër.

Last Updated on E Hene, 11 Janar 2010 21:25

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›