Edi Rama si Karla Del Ponte, Dik Marti e Pablo José Baraybari
Njerëzit e shthurur, që s’e kanë për gjë të thyejnë ligjin, herën e parë mirë na e bëjnë: Herën e dytë, ua kemi dhënë né mundësinë që të llastohen. Herën e tretë, ata e marrin frerin nëpër këmbë. Socialisti H. Sherifi, tha një të vërtetë të madhe kur iu kundërvu E.Ramës burrërisht, në emër të LMN-së: -“I ke humbur zgjedhjet. Deshe ta bësh vetë Kodin Zgjedhor? Ta dha këtë mundësi Berisha. Të 40 mijë komisionerët i zgjodhe vetë, kokërr më kokërr. Ditët e para e kujtove veten fitues. I përshëndete zgjedhjet si të drejta e të lira, në përputhje me monitorimin ndërkombëtar. Pas disa ditësh, kur u shpalle humbës nga KQZ-ja, u ngjire se zgjedhjet ishin të manipuluara! (Ko frazë përmbante, siç duket, vërejtjen: Ku i gjete provat e manipulimit brenda pak ditësh?). Zgjedhjet i humbe se i personalizove, nga mendjemadhësia“
Së paku, ishte zëri i përshëndetshëm i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Jo si ata që e drodhën, si A. Malaj që u fut si Kali i Trojës, në ato çadrat haxhiqamiliste që i kishte trajtuar për ibret jo shumë kohë më parë. As si B. Blushi, që e vuri edhe ai kokën në kular, siç e pamë në të folurit në Parlamentin e bojkotuar nga autokrati Rama, sa i deshi qejfi: për një vit e kusur! Tashmë LMN-së nuk i dëgjohet zëri. Por janë të shumtë edhe ata që janë antiRamë, veçse të heshtur prej një dhune të pashembullt brenda radhëve.
***
Para se të arrijmë në përfundimin që Edvini është etalon i antiligjit, do të themi se ka disa shprehje aksiomatike të pranuara detyrimisht në të gjitha fushat e mendimit social, kulturor, shkencor etj.
E fillojmë nga shkencat: Një person në Gjirokastër, (nuk ka nevojë ta përmendim me emër) e kishte shndërruar shtëpinë e tij në laborator, për të bërë një “shpikje të bujshme”: të provonte lëvizjen e përjetshme, në një energji elektrike të pashtershme, pa karburant: Nga një lartësi e caktuar rridhte ujët prej një rezervuari mbi fletët e një rotori që rrotullonin aksin me mbështjelljen e tij. duke krijuar rrymë elektrike nga prerja e fushës magnetike prej boshtit rrotullues. Kjo energji elektrike shërbente që ta ngrinte ujin sërish sipër, në rezervuar, me anë të një gjeneratori. E kështu krijohet një cikël që energjia elektrike fitohej qyl edhe për ndriçim! Natyrisht që i pasionuari i shkretë gjirokastrit dështoi. Ai nuk pati parasysh ligjin e famshëm të Lavuazierit: “Asgjë nuk krijohet, asgjë nuk humbet, çdo gjë transformohet”. Ky është një ligj i vërtetuar dhe sovjetikët e kanë pranuar me një emër tjetër të shkencëtarit të tyre, por jo si Ligj të Lavuazierit. Tjetër punë: ka të bëjë me megalomaninë staliniste, sipas së cilës Edisoni nuk e ka shpikur llambën elektrike, por një shkencëtar rus... Meqë përmendëm Lavuazierin francez, le të shtojmë, vetëm për kërshëri, se përfundoi në gijotinën e Revolucionit Francez, në moshën 51-vjeçare.
Një rast i dytë: Nxënësit e shkollave të mesme, në matematikë, kanë një kapitull të ndërtimeve gjeometrike me kompas e me vizore. Për shembull mund të ndërtohet sipërfaqja e një katrori, të barazvlefshëm (d.m.th. me numër matës të njëjtë) me sipërfaqen e një trekëndëshi të dhënë. Problema të tilla ndërtimi ka sa të duash. Por nuk mund të ndërtohet një katror i barazvlefshëm me sipërfaqen e një rrethi të dhënë. Kjo është e vërtetuar. Kështu “ti kërkon të bësh kuadraturën e rrethit” ka marrë konotacionin “ti kërkon të pamundurën”.
Të tjerë janë munduar të bëjnë nxjerrjen e floririt (“au”, si simbol) nga kombinacione, aliazhe, etj. të elementeve të tabelës së Mendelejevit. Është e pamundur edhe kjo.
Duke ardhur në parimet ligjore: “Nuk mund të paditësh askushin me dyshime, pa fakte konkrete”. Dhe këtu vijmë tek absurditetet e Ramës: pa asnjë fakt të hapim kutitë e votimit që t’i gjejmë faktet aty brenda! Është sikur një mitoman që ka inat x-in, t’i kërkojë policisë një mandat kontrolli, që të zbulojë armë pa leje në shtëpinë e të akuzuarit, pa i dhënë policisë provat për dyshimet e tij. Nga ana tjetër, edhe nëse provat e bindin prokurorinë, ajo do të urdhërojë policinë për ta bërë kontrollin dhe jo akuzuesin mitoman, që nuk e ka këtë kompetencë! Natyrisht mund të gjendet një krahasim më i goditur. Por thelbi ky është: Në zemërimin e tij paranojak, Rama i quajti komisionerët e firmosur nga ai vetë, tradhtarë! A nxori ndonjë emër që t’i jepte vetes të drejtën që t’i merrte erzin një numri kaq të madh personash? Asnjë! A ka mbështetje ligjore ai absurditeti: - Më jep ti faktet që unë të të padis? Mirë ti që u jep fillimisht “dekoratë” fillimisht, e pastaj i përbalt ata pa pikë derti, por kërkon, madje, të ngërthesh në këtë aferë kundërthënëse që bie erë të keqe e të futësh në valle edhe ata që janë koherentë: Kërkon me azganllëk që t’i hapë Berisha! Hapi vetë! Vetë unë nuk i hap dot! As unë nuk i hap dot! Ky dialog i hamendësuar tregon, siç më duket, sesa të pavend janë mëtimet e Ramës, që kërkon t’ia arrijë këtij synimi me dhunën e rrugës!
“Hap kutitë ose ik!”, që dihet kujt i drejtohet, është një togfjalësh që nuk njeh kompetencat ligjore. Por edhe kur një veprim të tillë e bëri prokuroria (në zonën e Shkodrës), nuk doli asnjë ndryshesë që të përligjte sado pak gjyrykun fishkëllues të Nard Ndokës. Çfarë tha ky, pas këtij shqyrtimi ligjor? Nxori nga goja fjalorin e tij zhurmëmadh, për të përbaltur, tashmë, ... Prokurorinë! Me këtë logjikë të zvetënuar, mund të hapen të gjitha kutitë e materialeve zgjedhore dhe të fletëvotimeve, mund të bëhet, pra, një rishqyrtim që do të nxirrte inekzistente organet ligjore kompetente, nga baza në KQZ, me fjalën bajate, se edhe Prokuroria nuk duhet besuar! Ose: Po, ajo do të besohej, por kur të na nxirrte né... fitimtarë! Paradokset s’kanë të sosur...
Një problematikë e përçartur, si ajo që dihet prej shumë vetash: -Vapori është kaq i gjatë, aq i gjerë, me kaq e aq dritare të mëdha e të vogla. Gjeni sa vjeç është kapiteni i vaporit!
Tani po e shohin të gjithë sesi doli blof, vite më parë, Karla Del Ponte që organizoi kontrolle në të ashtuquajturën Kullë e Verdhë në posedim të 80-vjeçarit Abdulla Katuçi, në një fshat me rrugë e pa rrugë të Matit. Ajo synonte se bëheshin transplante në një shtëpi që mund të quhet antonimi i anestezisë. Dhe për këtë çmenduri, u kritikua ashpërsisht nga vendi i saj, Zvicra, sa u kërkua, madje, që të anulohej funksioni i ri të ambasadores në Argjentinë, si e padenjë, që bënte politikën e interesave serbe. Kaluan dhjetë vite nga ajo kohë dhe anketimi u mbyll me turp. Prof.dr. Nestor Tereska e përmendi atë çmenduri të Karlës me krahasimin: “Që të besoje se vendi ynë ishte në gjendje të bënte transplante, domethënë të besoje se mund të çonim raketën në hënë”! Nëse do të kishin gjetur faktin më të vogël, nuk do të kalonte një kohë e gjatë pa u bërë një hetim serioz. Gjë që nuk ndodhi, për turpin e Karlës! Tani na del edhe një psikopat që i lëviz duart si një prestigjiator, që ngarkon Hashim Thaçin si protagonist të nxjerrjes së organeve nga 300 e kusur serbë. Ky politikan proserb që kërkon të lehtësojë serbët nga krimet e panumërta e të bëjë atë që Kadareja e quan balancim është paditur në Gjykatën Ndërkombëtare që dyshimet e tij subjektive i quakërka fakte! I implikuar në këtë vorbull të turpshme është edhe peruani Pablo José Baraybari, një peruan i fantaksur, që do të japë edhe ky llogari që dyshimet i quan fakte! I tillë është edhe Edvin Kristaq Rama, që ka bërë një tollovi me një kohë pambarimisht të gjatë që nga 28 qershori plus disa ditë, i vitit 2009, që ndryshon radikalisht nga 28 qershori i po atij viti, minus disa ditë! Edhe ky, siç e pamë, dyshimet i quan fakte. Dhe me këtë mendësi enveriste, kërkon të marrë pushtetin në tavolinë, siç dëshmojnë thirrjet e mëkatarëve për një katrahurë, për të cilën janë vetë përgjegjës, e që e ka emrin kryengritja bolshevike e vonuar. Mbiemri është i R. Qoses!