E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kush mendon për pjesën gri?

Ilir Kalemaj

Bombardimi televiziv, por edhe shtypi i shkruar, vazhdojnë ta kenë betejën e stisur politike si kryefjalë të radhës, duke ftohur edhe më atë pjesë të popullsisë, e cila vuan mungesën e stabilitetit, kushtet normale të zhvillimit të aktivitetit tregtar dhe pret atë lloj qeverisjeje, e cila siç shprehu me të drejtë ambasadori Withers, ka kohë që po mungon Jo për t‘i bërë karshillëk çdolloj shprehjeje diplomatike apo protagonizmit, shpesh të tepruar të trupit diplomatik, të cilët me fraza të tipit “të ruhet transparenca brenda kornizës kushtetuese”, pra as mish, as peshk, ua kanë lënë topin në dorë lojtarëve vendas kësaj radhe. Duket se në ka një gjë ku politika shqiptare ka evoluar nga Vranicki apo kompromisi i 2001-shit e këndej është pikërisht ideja e të ‘hedhurit’ të huajit që përpiqet të shoshisë mosmarrëveshjet dhe të sigurojnë formula paqtimi. Veçse shpeshherë, sjellja politike e aktorëve kryesorë komentohet gabimisht si papjekuri, apo kryeneçësi, ndërkohë që më tepër se kjo është e kalkuluar saktësisht për të prodhuar ato efekte që dëshiron. Por nëse ndonjë Gruevsk apo Tadic i shfrytëzojnë këto retorika shpesh regresive në funksion të mbajtjes së mobilizimit të brendshëm dhe rritjes së populizmit në periudha krize, që shoqërohen detyrimisht me rrjedhje elektorati, këta tanët, e përdorin ‘çështjen kombëtare’ si një kartë transaksioni, për t‘i bindur ndërkombëtarët se kanë në dorë gurin dhe arën e stabilizim/destabilizimit të Ballkanit.
Në shkëmbim të mbylljes së njërit sy, nga ana e tyre për sjelljen politike antagoniste dhe anti-demokratike brenda vendit, premtojnë atë që nuk e kanë në dorë, duke frenuar dhe procese mjaft të natyrshme integrimi mbarë-kombëtarë dhe duke u munguar çdolloj vizioni që mbështetet në promovimin e një strategjie të interesit kombëtar. Nëse Tadic, fjala bie, përdor retorikën ekstreme nacionaliste që vazhdon të mbizotërojë në klimën e Beogradit, për t‘u shfaqur i moderuar dhe Euro-centrist dhe si rrjedhojë të shpërblehet me karrotën e integrimit që parashohin marrjen e statusit të vendit kandidat, së paku një vit para Shqipërisë (ashtu siç ngjau me liberalizimin e vizave), këta tanët i quajnë politika folklorike mbështetjen reale të faktorit shqiptar në Maqedoni, Serbi apo Mal të Zi, si dhe rolin paqtues dhe integral që duhet normalisht të luante Tirana zyrtare në këto kohë të turbullta dhe ku çështja e shqiptarëve në rajon është ende në proces. E zënë me cic-micet e ditës, riprodhojnë të njëjtën politikë konsumeriste, kokë-çarëse dhe kaotike, pa kurrfarë strategjie, ideje apo vizioni me të cilën kanë lodhur veshët e shqiptarëve prej më se njëzet vjetësh.
Duket se krizat e njëpasnjëshme kanë pasur veç një të mirë. Shqiptari mesatar sot është bërë ekspert në fushën e përmbytjeve dhe hidrocentraleve, njohës i shkëlqyer i Kodit Zgjedhor dhe problemeve kushtetuese, ka njohuri të sakta në fushën e demontimeve të materialeve ushtarake dhe mund të sfidojë ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, mbi të drejtën e detit dhe delimitimin e shelfit kontinental. E gjitha kjo dhuratë e politikës së ditës dhe vendin jo proporcional që zënë në median vizive dhe të shkruar, lajmi politik i përqendruar ekskluzivisht mbi politikanët tanë të ‘karrierës’, shpesh me një karrierë aq të gjatë në krye të partive apo partizave, sa dalëngadalë po arrijnë atë të Komandantit. Rritja e ‘teknikës’ në kurriz të ‘politikes’ në diskutimin në sferën publike, ka bërë që të vërehet dhe një rritje e depolitizimit të shoqërisë në përgjithësi, largim të interesit të njerëzve mbi ‘telenovelën’ politike, lodhje me serinë multiplikative të jo-ekspertëve, që diskutojnë si ekspertë në ekranet televizive dhe për rrjedhojë dhe mungesën e dëshirës për mobilizim ndaj kauzave që mbledhin njerëz në shesh kudo në Perëndim. Kauza mjaft më të prekshme se kutitë e votimit (jo se këto nuk janë të rëndësishme), por kauza që kanë të bëjnë më tepër me mirëqenien individuale, punësimin, rrogat, mbrojtjen sociale apo liritë individuale dhe pronën.
Opozita i ka përmendur së fundmi edhe secilën prej tyre, por së pasi u kujtua shumë vonë dhe pasi kriza ishte shtruar mirë e bukur në vend dhe së dyti, përsëri problemet sociale dhe ekonomike duken më tepër si aksesorë, sesa si thelbi i asaj që normalisht duhet të përbënte thelbin opozitar të një opozite normale. Në këto kushte dhe veçanërisht duke parë se mungojnë alternativat qeverisëse (ngelet thjesht në kuadrin e konstatimit), duket më tepër si demagogji sesa një aksion në mbrojtje të interesit publik. Jo më kot, pjesa më e madhe e njerëzve, të lodhur, të zhgënjyer dhe me ndjesinë e mos përkitjes, janë larguar përherë e më tepër nga kjo lloj elite politike që ka shkuar në realitet shumë afër diktumit ‘përtej së majtës dhe së djathtës’ dhe ku retorika e ashpër e ndërsjelltë shërben më tepër për të mbajtur gjallë entuziazmin e mbështetësve të mbetur, sesa përfaqëson ndonjë ndryshim ideologjik të çfarëdollojshëm. Duket se pjesa ‘gri’ e elektoratit e ka braktisur skakierën politike, por gjithashtu është penalizuar prej një elite politike, që bastin kryesor e ka vënë në radikalizimin e pjesëve të saj dhe ku shpesh të qenurit në mes, të kujton shprehjen ‘i njomi digjet bashkë me të thatin’.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›