E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasada Italiane : Leja e qëndrimit, nuk ka më lehtësirat e festave

Ambasada italiane ka bërë të ditur se më 31 janar 2009 përfundoi afati i lehtësimit me karakter të jashtëzakonshëm, parashikuar nga qarkorja përkatëse në favor të qytetarëve të huaj në zotërim të kuponit postar të rinovimit të lejes së qëndrimit, ose të lëshimit të parë për punësim, vetëpunësim apo për bashkim familjar. Ministria e Brendshme italiane ka saktësuar se ngelen në fuqi dispozitat e shpërndara më parë që u lejojnë të huajve në zotërim të kuponit postar të rinovimit të lejes së qëndrimit, të kthehen në vendet e origjinës apo të banimit të përhershëm, me kusht që: dalja dhe rihyrja në Itali të bëhen nga e njëjta pikë kufitare; udhëtimi të mos parashikojë tranzit në vende të tjera Shengen; i huaji të paraqesë pasaportën së bashku me vizën e hyrjes, në mënyrë që të kuptohen arsyet e qëndrimit (punësim, vetëpunësim apo bashkim familjar), ose me lejen e qëndrimit për të cilën ka kërkuar rinovim (kopje ose origjinalin), si dhe faturën e postës italiane; personeli i kontrolleve kufitare duhet të vulosë dokumentin e udhëtimit dhe kuponin, që do të paraqiten nga personi që i zotëron, në momentin e daljes dhe rihyrjes në Itali. Vendi fqinj lehtëson gjithmonë procedurat për kalimin kufitar të qytetarëve shqiptarë me raste festash, kur edhe fluksi i këtyre lëvizjeve është tepër i madh.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›