Kapen 30 kilogramë drogë, ikën një nga trafikantët
Dy djem nga rrethi i Korçës kanë bërë "spektakël" me policinë e Elbasanit paraditen e djeshme. Një operacion i uniformave blu, mund të konsiderohet i përgjysmuar nga suksesi, përderisa njëri prej dy autorëve të dyshuar është arratisur nëpër këmbët e policisë kodrave të fshatit Bradashesh, afër qytetit të Elbasanit. Sipas burimeve policore, është bërë arrestimi në flagrancë i 22-vjeçarit Ermal Shaholli, lindur e banues në Pojan të Korçës, njëkohësisht edhe person nën hetim për veprën penale të vjedhjes, si dhe është bërë shpallja në kërkim për 32-vjeçarin Artan Ago, nga fshati Kuç i Devollit, i cili rezulton i dënuar më parë për trafik të lëndëve narkotike. Sipas policisë lokale, këta dy shtetas kanë qenë duke udhëtuar me një veturë në aksin rrugor Peqin-Elbasan dhe patrulla e policisë u ka bërë shenjë të ndalojnë. Por, drejtuesi i mjetit ndaloi për pak sekonda dhe më pas është nisur me shpejtësi në drejtim të Elbasanit. Gjatë rrugës, makina ka ulur shpejtësinë për t‘i dhënë mundësinë shtetasit Artan Ago të dalë nga mjeti dhe të largohet me shpejtësi në drejtim të fshatit Bradashesh. Ndërsa Shaholli ka ndaluar mjetin pak metra më larg, ku e kanë mbërritur edhe policët. Gjatë kontrollit të mjetit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale tre thasë plastikë e nga dhjetë pako të mbështjella me natriban të bardhë. Mësohet se gjithsej janë sekuestruar 30 pako në formë cilindrike, brenda të cilave ndodhet një lëndë bimore në gjendje të thatë, me ngjyrë jeshile, e cila, sipas specialistëve, dyshohet të jetë lëndë narkotike e llojit kanabis sativa, me peshë të përgjithshme rreth 30 kg. Nga ana e policisë vazhdon puna për kapjen e shoqërimin e 32-vjeçarit Artan Ago.
Be.Dy.
Be.Dy.