Vetëvarja e studentit në qeli, dënohet me 10 mijë USD, Burgu 313
Paraburgimi 313 në Tiranë është dënuar dje nga Gjykata e Tiranës me 10 mijë USD, pasi në ambientet e këtij institucioni është vetëvaruar në muajin mars 2006 studenti i Stomatologjisë, Mihallaq Karaj. Gjykata ka çmuar se kërkesa e të atit të viktimës, është pjesërisht e saktë dhe si e tillë duhet të pranohet. Disa javë më parë, Patro Karaj është paraqitur në gjykatë duke kërkuar dëmshpërblimin nga burgu, pasi sipas tyre faji për humbjen e jetës në qeli të djalit të tyre është pikërisht institucioni i burgut, që nuk i garantoi jetën të paraburgosurit. Studenti i Stomatologjisë vrau veten rreth orës 02:00 të mesnatës pas 3 marsit 2006 në qelitë e paraburgimit 313 në kryeqytet. Karaj ishte dërguar në këtë paraburgim vetëm pak orë më parë dhe sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve shkak për kryerjen e aktit ekstrem ndaj vetvetes ishte mospërshtatja e tij me jetën e re pas hekurave të qelisë dhe ngarkesa e rëndë psikologjike. Ai akuzohej për vjedhjen në bashkëpunim të një kompjuteri në një lokal në Qytetin Studenti. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës, Petro Karaj, i ati i viktimës, ka pësuar një dëm të pallogaritshëm si rezultat i humbjes së jetës së të birit, Mihallaq Karaj. Viktima u vendos në një qeli së bashku me një person tjetër, ndërsa karakterizohej nga një situatë tejet e rënduar, pasi nuk kishte qenë asnjëherë në burg. Sipas gjykatës, personeli i burgut ka gabuar në masat që duhet t‘i realizonin të burgosurit. Natën e parë që ndodhej në qeli, studenti 24-vjeçar, i cili kishte pësuar ngarkesë të rëndë psikologjike ka përfituar nga gjumi i shokut të qelisë dhe me lidhësen e tutave të fiksuar në hekurin e krevatit ka shtrënguar fytin, duke mbetur i vdekur në vend.
S.Ç
S.Ç