Shullazi "pendohet", kërkon gjykim të shkurtuar
Emiljano Shullazi, i akuzuar për krijim të organizatës kriminale dhe trafik ndërkombëtar droge, është "penduar" dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke kërkuar gjykim të shkurtuar. Megjithëse nuk ka pranuar akuzat, Shullazi, nëpërmjet avokatit të tij, i ka kërkuar kolegjit penal, që kryesohej nga gjyqtarja Marsela Balili, të vazhdojë me gjykim të shkurtuar. Kërkesa është arshivuar dhe në seancën e radhës do të vendoset nëse do të pranohet ose jo. Shullazi dhe Ergys Ferhati u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Apelit, ndërkohë që Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e tyre. Shorti i ra gjyqtares Marsela Balili për ta gjykuar si çështje, mirëpo gjatë caktimit të trupës gjyqësore rezultoi se pjesa më e madhe e tyre ishin konsumuar nga dy të pandehurit. Po e njëjta gjë ka ndodhur me dy trupat e tjerë gjyqësorë, duke rezultuar se vetëm dy gjyqtarë i kanë "shpëtuar" përballjes me Shullazin e Ferhatin, për të qenë tashmë pjesë e trupës gjyqësore që do i gjykojë për së dyti. KLD-ja delegoi tre gjyqtarët që plotësuan trupën gjyqësore.