Krimet e Rënda: Dosjet e bujshme që u gjykuan gjatë 2008-s
Dhjetëra persona janë dënuar gjatë këtij viti nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Apelit për një sërë veprash penale që kanë të bëjnë me trafiqe ilegale si ai i drogës dhe femrave për qëllime prostitucioni, vrasje apo pjesëmarrje në grupe kriminale. Ndërkohë që shumë të tjerë janë në proces dhe gjykata ende nuk e ka dhënë vendimin përfundimtar për episodet kriminale që akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, të cilat kanë ndodhur vite më parë në vendin tonë. Ndër çështjet e përfunduara nga Gjykata e Krimeve të Rënda janë ato për rrëmbimin e imamit të Gostivarit, Irfan Idrizi, vrasjen e mjekut Behar Kastrati në Krumë, bandën e Niklës etj. Në një kohë që janë marrë në shqyrtim çështjet për bandën e Durrësit, të Lushnjës, Cërrikut apo çështjen "Hoxha". Më 10 janar Gjykata e Krimeve të Rënda dha vendimin për të pandehurin Jani Tafa nga Fieri, duke e shpallur fajtor dhe dënuar me 16 vjet burg dhe 6 milionë lekë gjobë, për veprën penale të "trafikut të femrave për qëllime prostitucioni". Një ditë më pas, e njëjta gjykatë dënoi me burgim të përjetshëm të pandehurin Dedë Strogu, i cili akuzohet për vrasjen me armë zjarri të dy bashkëfshatarëve të tij më 6 korrik të vitit 1997, ditën e zgjedhjeve parlamentare, në fshatin Kuje të komunës Pult, në rrethin e Shkodrës. Më 17 janar Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli vendimin për dy vëllezërit, Dritan dhe Elvis Buçpapaj, të cilët akuzohen për "trafik të femrave për qëllime prostitucioni" dhe "falsifikim të dokumenteve zyrtare", duke i dënuar me nga 15 vjet burg secilin, si dhe me gjobë 1 milion lekë. Më 18 janar, numri 2 i bandës së Lushnjës, Enver Dondollaku, u dënua nga Gjykata e Krimeve të Rënda me burgim të përjetshëm për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre "drejtim të organizatës kriminale" dhe "vrasje". Por, për shkak të aplikimit nga gjykata të procedurës me gjykim të shkurtuar, i pandehuri Enver Dondollaku, sipas Kodit Penal, do të vuajë 25 vjet burg. Më 13 shkurt Gjykata e Krimeve të Rënda filloi shqyrtimin gjyqësor të dosjes penale në ngarkim të të pandehurve të bandës së Lushnjës, e dyta për këtë bandë. Të pandehur në këtë proces janë shtetasit Arben Boriçi, Afrim Hoxha, Ilir Stërgu, Rexhep Gina, Erion Cici, Jorgo Muzaka (Agur Musaku) dhe Arjan Aliçi, të cilët akuzohen për disa ngjarje kriminale të ndodhura disa vite më parë në qytetin e Lushnjës, mes tyre edhe për vrasje. Ndërsa më 17 prill, Gjykata e Krimeve të Rënda deklaroi të hapur procesin ndaj bandës së Durrësit, ku me cilësinë e të pandehurit janë marrë nga prokuroria 16 persona të akuzuar për disa vepra penale, mes tyre disa vrasje.
24 Dhjetor 2008