E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mungon Tamifluja, ka vetëm 200 doza”

 

zirina llambro

ISHP jep alarmin se në vend nuk ka sasi të medikamentit tamiflu, për të luftuar virusin dhe për t’iu përgjigjur një pandemie të mundshme. Sipas burimeve të sigurta nga ky institucion, një rezervë shumë minimale vetëm me 200 doza tamilfu është ne gjendje. Me të nuk përballohet asnjë fluks minimal pacientësh. Shqipëria mbetet nga të paktat vende që deri tani nuk ka porositur sasinë e nevojshme të vaksinave. Kjo pasi Ministria e Financave ka kthyer mbrapsht kërkesën për akordimin e një fondi që do të shërbente për blerjen e tyre. Por vetëm disa ditë më parë, drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë kanë deklaruar se  disponohen rreth 3000 doza tamiflu. “Në rast se do të kemi nevojë dhe do të prekemi nga virusi i gripit të derrave, do të porositen sasi të tjera, të cilat mund t’i sigurojmë brenda 24 orëve”, sqarojnë burime nga Ministria e Shëndetësisë. Sipas tyre, janë orientuar të gjitha drejtoritë e shëndetit publik në rrethe, si dhe spitalet, për të qenë sa me vigjilentë. “Për momentin nuk është domosdoshmëri që të kemi stoqe antiviralësh. Ne kemi bërë porositë dhe kemi mbështetjen maksimale të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për të siguruar sasi të mjaftueshme të tyre”, saktësojnë burime nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkaq, vaksina e posaçme për gripin H1N1 pritet të vijë në nëntor. Por ne do të mund të sigurojmë vetëm një sasi të vogël, pasi numri i vendeve të prekura që janë futur në listën e pritjes për t’u furnizuar është tepër i lartë. Grupet e para që do të vaksinohen falas do të jenë personeli mjekësor, qeveritarët dhe personat që vuajnë nga sëmundje kronike, si diabeti, astma, gratë shtatzëna dhe fëmijët nën 2 vjeç. Kostoja vaksinës për qytetarët e tjerë  mendohet të jetë 1500 lekë. Në rast se ne prekemi nga gripi i derrave dhe ai nis të përhapet me shpejtësi, mjekët mendojnë se brenda një jave do të kemi 10-15 persona të prekur nga ky virus, çka do të bëjë të domosdoshëm që të kemi vende të lira në reanimacion. Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se në reanimacionin e kirurgjisë së përgjithshme dhe në atë të senatoriumit ka vende të lira, por duket se fluksi i zakonshëm i të sëmurëve e bën të vështirë realizimin e këtij planifikimi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›