Tre të arrestuar për vjedhje me dhunë
Në sajë të operacionit të koduar Pasagjeri, i realizuar pas një pune hetimore disa mujore, është bërë e mundur prangosja e tre shtetasve, të cilët akuzohen për vjedhje me armë. Policia bën me dije se janë arrestuar Berti Limani, 21 vjeç, Hysen Xixa, 18 vjeç dhe Lulëzim Doci, 24 vjeç.
Dyshohet se shtetasit Berti Limani dhe Lulëzim Doci, kanë vjedhur nën kërcënimin e armës automjetin tip Benz taksi me targa AA 038 T. Uniformat blu saktësojnë se ngjarja ka ndodhur më datën 06 tetor të vitit 2011 në Tiranë, ku këta shtetas kanë marrë automjetin tip taksi dhe në segmentin rrugor Tiranë Rinas, e kanë detyruar nën kërcënimin e armës të dëmtuarin Sabri Vaja, të zbresë nga taksia forcërisht, duke marrë më pas drejtimin për në qytetin e Fushë Krujës.
Nga hetimet e zhvilluara, ka rezultuar se shtetasi Berti Limani se bashku me shtetasin A.Xixa, 16 vjeç, dyshohet të jenë autorë edhe të vjedhjes me armë të një tjetër automjeti taksi me targa TR 995 B taksi në pronësi të shtetasit Bashkim Metushi, 58 vjeç. Kjo vjedhje, nën kërcënimin e armës, ka ndodhur më datë 30 janar 2011 ne aksin rrugor Vore Fushë-Krujë. Më pas, më këtë automjet kanë udhëtuar në drejtim të qytetit të Durrësit për në vendin e quajtur Plepa, ku në ecje e sipër i kane vendosur pistoletën në pjesën e kokës, drejtuesit të mjetit duke e detyruar atë të largohet.
Në cilësinë e provës materiale, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Berti Limani, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri tip pistoletë, ndërsa në kontrollin e ushtruar në servisin e shtetasit Lulëzim Doci, u gjend i copëtuar në pjesë këmbimi automjeti me targë AA 385 T.