E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reforma të jetë transparente dhe gjithëpërfshirëse

11/11/2011  LSI mbledh kryesinë e partisë, Meta kërkon korrigjimin e Kodit

Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, kërkoi gjatë fjalës së tij në mbledhjen e kryesisë së partisë që të nisë sa më parë puna për reformën zgjedhore, duke bërë apel për t”i dhënë fund taktikave zvarritëse. Sipas Metës, reforma zgjedhore nuk është çështje vullnetesh personale, ndaj ka ardhur koha që të lihen mënjanë retorikat dhe të veprohet sa më parë për hartimin e një reforme, e cila sipas tij duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Në këtë mënyrë, ai është deklaruar kundër përjashtimit të partive të vogla nga procesi i reformimit të Kodit Zgjedhor, siç pretendojnë dy partitë e mëdha në vend. Kreu i LSI-së theksoi se nuk duhen përsëritur praktikat e dështuara të së kaluarës dhe të gjitha vonesat janë të pajustifikuara. “Nuk duhet të përsërisim praktika që kanë dështuar në të kaluarën, por duhet të vendosim demokraci për një plan afatgjatë. Vonesat janë të pajustifikuara. Është koha për të kaluar në veprime konkrete”,- deklaroi ai pasditen e djeshme. Meta bëri thirrje që ti jepet fund praktikave bllokuese të integrimit, ndërkohë nënvizoi që Parlamenti duhet të përmbushë detyrimet përkatëse në këtë aspekt. “Është kërkesë e gjithë opinionit publik që ti jepet fund çështjeve të integrimit evropian dhe penalizimit të Shqipërisë. Ne bëjmë apel për ti dhënë fund praktikave zvarritësve. I bëjmë thirrje Parlamentit që të përmbushë prioritetet e duhura. Unë kam besim që në këtë situatë ku vetë Bashkimi Evropian ndeshet me sfida ku situata ekonomike dhe financiare është situatë më problematike se në të kaluarën, në këtë kontekst me një angazhim më të madh vendi ynë mund ta kalojë me kosto më të ulët”,- përfundoi fjalën e tij kreu i LSI-së, Ilir Meta.

Apeli i LSI

“Dua ti bashkohem thirrjes së ambasadorit të OSBE-ODIHR, Eugen Wollfarth, lidhur me domosdoshmërinë për fillimin e punës për reformën zgjedhore, pasi është koha për të lënë fjalët dhe retorikat dhe për ti kthyer në vepra konkrete, për një reformë gjithëpërfshirëse dhe transparente. Për LSI, reforma zgjedhore nuk ka qenë dhe nuk do jetë çështje vullnetesh personale dhe parciale, por do jetë një çështje qytetare dhe më e rëndësishmja është se lidhet me funksionimin e demokracisë dhe institucioneve dhe me respektin ndaj çdo qytetari të Republikës dhe me barazinë e votës”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›