Zhduket 47-vjeçari, nëna kërkon ndihmë për ta gjetur
Petraq Lupe, që sipas së ëmës është i sëmurë dhe rrezikon deri dhe humbjen e jetës nëse nuk kurohet në mënyrë urgjente, është larguar nga shtëpia 1 muaj më parë dhe prej asaj kohe s’ka më kontakt me familjen
Korçë- Zhduket në rrethana misterioze 47-vjeçari i sëmurë, policia nis hetimet, ndërsa familja thotë se është në kërkim të tij që prej një muaji. Petraq Lupe është larguar me disa bashkëfshatarë të tij në drejtim të Greqisë, por tashmë nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Denoncimi
Prej afro një muaji, një 47-vjeçar është zhdukur në drejtim të shtetit grek, duke humbur çdo lloj komunikim me të afërmit e tij. Dhorkë Lupe, 65 vjeçe, ka denoncuar në gazetën “Mapo” humbjen e djalit të saj të vetëm Petraq Lupe, që për më tepër është i sëmurë dhe rrezikon deri dhe humbjen e jetës nëse nuk kurohet në mënyrë urgjente. Sipas nënës, 47-vjeçari Petraq Lupe vuan nga probleme të shëndetit mendor, për të cilat kurohej pa dijeninë e tij. Ai është larguar fillimisht në drejtim të Selanikut më 27 tetor të këtij viti, pasi ka marrë pasaportën. Në fakt, sipas rrëfimit të nënës së tij, ai ka përfituar nga mungesa e kësaj të fundit dhe i joshur nga ideja e një udhëtimi jashtë vendit i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së disa bashkëfshatarëve të tij shokët të lagjes, me të cilët ka vendosur të shkojë për herë të parë në shtetin fqinj.
Lupe është banor i fshatit Moravë, vetëm 3 kilometra larg qytetit të Korçës.
Apeli
Sipas informacioneve që disponon familja, Lupe fillimisht ka qëndruar në qytetin e Selanikut dhe më pas është larguar drejt Llathias në Athinë. Në fakt, nëna e të humburit ka kërkuar ndihmë në policinë e Korçës, madje edhe pranë Interpolit, por nuk ka mundur të gjejë asnjë zgjidhje. Ajo bën thirrje për ndihmë për të mundësuar kthimin e të birit në shtëpi, ndërsa shpresa e vetme është publiku, të cilit ajo i bën apel përmes medias. “Ju lutem më ndihmoni për të gjetur djalin tim, pasi problemi që ai ka është shumë serioz. Unë kam shkuar në polici, por më kanë përcjellë dhe tani shpresa e vetme jeni ju. Nuk di si ta zgjidh hallin tim, por mund të them vetëm se im bir ka shumë nevojë dhe mund të vdesë në rast se nuk mjekohet. Më kanë thënë që ndodhet në një vend afër Athinës, por nëse e ka parë dikush, të njoftojë policinë ose familjen në fshatin Moravë të Korçës”, - ka thënë në prononcimin e saj për gazetën gruaja e moshuar. Ajo thotë se do të rikthejë në shtëpinë e vet të birin, që prej gati një muaji ka humbur çdo lloj komunikimi me familjen, ndërsa ka hyrë në shtetin grek nëpërmjet pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Ky fakt konfirmohet dhe nga policia kufitare, ndërsa Petraq Lupe nuk figuron të jetë rikthyer sërish në Shqipëri pas kësaj date, çka do të thotë se ai vazhdon të jetë në Greqi.