E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mort në dasmë

Krushqit e një dasme në fshatin Llukar të Prishtinës, vetëm disa orë pas fillimit të ahengut, janë shndërruar në dëshmitarë të një vrasjeje.

Martesa e një çifti me mbiemrin Trashupa nga Vranjveci i Prishtinës, është kthyer në një tragjedi. Një person ka humbur jetën në një rrahje masive që ka shpërthyer në këtë aheng, të shndërruar në mort.

Kjo ka ndodhur të dielën rreth orës 22 në restorantin Nasa që ndodhet në këtë fshat.
Gjurmët e tragjedisë së ndodhur, shihen në dritaret e thyera si pasojë e dhunës.

Burime të Expressit sqarojnë se personi që është vrarë është Naim Avdyli, 26 vjeç, i cili besohet të jetë nga Prishtina. Ai mendohet të jetë goditur me armë të ftohtë.

Sipas dëshmitarëve të rastit, rreth orës 21 e 45 minuta, i ndjeri kishte hyrë në restorant duke pretenduar se është i ftuar.

Në restorant hynë tre djem. Më thanë që janë të ftuar. Sikurse te të gjithë dasmorët, edhe ata i drejtova te një tavolinë dhe i shërbeva me pije. Nuk vërejta asgjë të dyshimtë tek ata. Mirëpo jashtë kam parë dy persona të tjerë që tërë kohën kanë folur me dikë në telefon, rrëfen ngjarjen një nga kamerierët e punësuar në këtë restorant.

Sipas tij, pas pak minutash, disa nga familjarët e dhëndrit, kishin filluar të dyshonin te personat e ulur.

Më vonë i pashë disa njerëz që shkuan dhe i pyetën se kush i ka ftuar. Ata thanë që janë mysafirët e dhëndrit. Mirëpo aty u afrua edhe dhëndri. Më pas filluan të kacafyten. Ashtu siç ishin, disa nga dasmorët i qitën ata jashtë. Duke u rrahur ndërmjet vete, u thyen shumë xhama të restorantit. Më pas nuk e di se çka ka ndodhur, si është kryer vrasja. Nuk e kam parë, sepse ishte shumë tollovi, thotë kamerieri për Express.

Ndërsa pronari i restorantit Nasa, Naser Azemi thotë se nuk i njeh asnjërin nga personat e përfshirë në këtë rast, as dasmorët dhe as të ndjerin. Ai thotë se për këtë dasmë, thjesht kishte lëshuar sallën e tij me qira, sikurse edhe për dasmat e tjera.

Këtu janë bërë mbi 300 dasma. Asgjë kurrë nuk ka ndodhur. Kjo është hera e parë që më ndodh një gjë e tillë. Nuk i njoh ata persona se kush janë. Unë vetëm e kam lëshuar restorantin tim me qira për natën e dasmës. Nuk kam qenë këtu dhe as nuk e di se çka ka ndodhur me saktësi, shpjegon Naseri. Ky pronar pohon se përveç rastit tragjik të vrasjes, ai ka pësuar dëme materiale në restorant që llogariten në vlerë rreth 3 mijë euro.

Rastin e ndodhur një natë më parë e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës.

Të dielën, rreth orës 22, kemi marrë informatën për një rrahje masive, në fshatin Llukar të Prishtinës, që ka rezultuar me vdekjen e një personi. Pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga Njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes, tha zëdhënësi i Policisë për Prishtinën, Agron Borovci.

Ai shpjegon se njësitet rajonale për hetimin e krimit menjëherë kanë filluar ndërmarrjen e një varg veprimesh operative e hetimore, me çrast kanë identifikuar dhe arrestuar tre persona të dyshuar lidhur me rastin në fjalë.

Përderisa të dyshuarit B. T. 38 vjeç, B. B. 27 vjeç dhe Y. T. 24 vjeç, me urdhër të prokurorit janë dërguar në Qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë, policia është në vazhdimësi të ndërmarrjes së veprimeve hetimore e procedurale, para se rasti ti kalojë gjykatës, pohon Borovci.

Njëkohësisht bëhet e ditur se policia është duke intervistuar edhe një numër të madh të dëshmitarëve të rastit për ndriçimin e kësaj ngjarjeje, ndërkaq deri më tani policia thotë se nuk i di motivet e këtij rasti.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›