E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre tregtarë kallzuan zyrtarin e Ministrisë së Bujqësisë

 
Murat Shehu u përgjua nga tregtari, në momentin e dorëzimit të parave. Merrte 20-50 mijë lekë rryshfet për 1 certifikatë
TIRANË- Tre importues fidanësh dhe farëra lulesh çuan në pranga kryeinspektorin e Përgjithshëm të Entit Shtetëror të Farërave në Ministrinë e Bujqësisë, Murat Shehu. Sipas kallëzimeve të tre biznesmenëve, 54- vjeçari Shehu, duke shfrytëzuar postin që kishte, u vinte “gjoba” importuesve për çdo çertifikim të mallrave që ata importonin, kryesisht lule, pemë frutore dhe pemë dekorative. “Ai akuzohet se kërkonte kundrejt këtij certifikimi nga 20 deri në 50 mijë lekë të reja, edhe pse nga ana procedurale importimi i tyre ishte i rregullt”,-pohojnë për “Shekullin” burime nga prokuroria. Kallëzimet për Murat Shehun, me detyrë kryeinspektori i Përgjithshëm i Entit Shtetëror të Farërave dhe Fidaneve janë bërë në ditët e para të këtij viti ndërsa organet e drejtësisë janë vënë menjëherë në lëvizje.
***
Tregtarët, importues të bimëvei janë drejtuar Prokurorisë së Tiranës, konkretisht seksionit të Task-Forcës kundër Luftës së Krimit Ekonomik, ku kanë bërë kallëzimet përkatëse. Pas hetimeve katërditore në mënyrat specifike, ka rezultuar se Murat Shehu kryente veprime abuzive me postin që kishte, duke i “gjobitur” biznesmenët kundrejt çertifikimit të mallit të importuar. Pas përgjimit dhe vëzhgimit të tij nga agjentet e krimit ekonomik, u bë e mundur që mbrëmjen e së enjtes, 54 -vjeçarit t’i vihen prangat, fill pasi kishte marrë 20 mijë lekë të reja nga një biznesmen që kryente aktivitetin e tregtimit të luleve, me aktivitetet në autostradën Tiranë-Durrës. Nga këto burime mësohet se gjobat e vendosura nga kryeinspektori Shehu varionin në shuma të ndryshme, nga 20 deri në 50 mijë lekë të reja, edhe pse dokumentat e importimit të këtyre mallrave ishin të rregullta. Arrestimi i tij, sipas akuzës u krye gjatë operacionit të koduar nga policia si “Start 2008”, emër ky i marrë nga arrestimi i parë i një zyrtari, në vitin 2008.
***
Sipas prokurorisë, dyshohet se këtë praktika abuzuese, i arrestuari 54 vjeçar Murat Shehu i ka praktikuar prej kohësh. Kallëzuesit kanë deklaruar se në disa raste të tjera, janë detyruar të paguajnë për të certifikuar mallin e importuar. Mësohet se arrestimi i tij është kryer mbrëmjen e së enjtes, aty rreth orës 20:00, pranë banesës së 54 -vjeçarit Shehut në rrugën “Don Bosko”, kur i dëmtuari po paguante shumën e parave, zyrtarit të lartë të Ministrisë së Bujqësisë. “Fillimisht, importuesi i luleve që kishte të instaluar në trup mikrofonin dhe minikameran i ka shkuar në zyrë zyrtarit të Ministrisë së Bujqësisë, Murat Shehut për t’i dhënë detyrimin e kërkuar prej 20 mijë lekësh të reja. 54- vjeçari nuk ka pranuar t’i marrë paratë brenda ambientit kupunonte, duke lënë një takim pasdite afër shtëpisë së tij, ku edhe u arrestua pas marrjes së zarfit me 20 mijë lekë të reja brenda”,-pohojnë burime nga akuza. Mësohet se prova kryesore ndaj Shehut është arrestimi në flagrancë dhe përgjimi i bisedës së kryer mes tij dhe importuesit të luleve. Ndaj këtij shtetasi, Prokuroria e Tiranës ka filluar hetimet për veprën penale të “korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”,- vepër e cila e parashikohet nga neni 259 të Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›