E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Vrapit, bashkëpunëtori në krim mbetet në burg

Gjykata e Tiranës la në burg pa afat Indrit Tresën, i akuzuar për vrasje në bashkëpunim. Autori i krimit, ende në arrati

Tiranë Gjykata e Tiranës vendosi dje të lërë në qeli Indrit Tresën, i akuzuar si bashkëpunëtor në vrasjen e Abdulla Vrapit, ngjarje e ndodhur të hënën në Tiranë. Gjatë seancës për vlerësimin e arrestit në flagrancë, përfaqësuesi i akuzës tha para gjyqtares së gatshme se Tresa dyshohet se është një nga dy bashkautorët e vrasjes së Vrapit, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim. Prokurori përshkroi në sallën e gjyqit fabulën e ngjarjes, e cila nis tre muaj të shkuara kur Tresa kishte pasur një konflikt me djalin e viktimës për shkak të gërvishtjes së automjeteve. Ngjarja kishte ndodhur pranë Shkollës së Baletit në kryeqytet dhe që prej asaj dite mes tyre ka pasur konflikte të vazhdueshme. Ditën e vrasjes, Indrit Tresa i shoqëruar edhe nga i afërmi i tij E.D., tashmë i shpallur në kërkim, kanë shkuar pranë banesës së familjes Vrapi, duke kërkuar sqarimin e konfliktit. Palët janë takuar në një lokal pranë banesës, në rrugën “Pjetër Budi” në kryeqytet dhe fillimisht kanë debatuar mes tyre. Më pas, debati ka degjeneruar në konflikt fizik dhe goditje me grushte e sende të forta. Në këtë moment, shtetasi E.D. ka nxjerrë një armë zjarri tip pistoletë dhe ka tentuar të qëllojë drejt djalit të 49-vjeçarit Abdulla Vrapi. Në tentativë për t’i shpëtuar jetën të birit, Abdulla Vrapi i ka dalë para armës duke marrë pesë plumbat e shkrehura nga pistoleta. Menjëherë pas krimit, armën e ka marrë Indrit Tresa, i cili është arrestuar 20 minuta më pas nga policia në tentativë për t’u fshehur në një hotel në zonën e Saukut. Pasi dëgjoi kërkesën e prokurorit, i cili tha se ndaj Tresës duhet të caktohet masë e sigurisë “arrest me burg”, gjyqtarja vendosi caktimin e masës shtrënguese të sigurisë, ndërsa i arrestuari nuk ka pranuar të flasë. Indrit Tresa së bashku me të afërmin e tij E.D., tashmë i shpallur në kërkim, dyshohen si bashkautorë të vrasjes së shtetasit Abdulla Vrapi, ngjarje kjo e ndodhur pasditen e 22 gushtit në periferi të kryeqytetit, pranë “Qytetit Studenti”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›