E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre vjet burg për kryetarin e Kaçanikut

Nga Nexhmije Ahmeti më 21 prill 2011 në ora 15:05

Kryetari i Kaçanikut, Zhabir Zharku, është shpallur sot fajtor nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për veprën penale zhvatje dhe detyrim. Ai është dënuar me tre vjet burgim, ndërsa është gjobitur edhe me 1500 euro për armëmbajtje pa leje.

Po me tre vjet është dënuar edhe bashkëpunëtori i tij, Arsim Kolshi, ndërsa me nga një vit e dy muaj janë dënuar Besnik Hasani dhe Nysret Cena.

Trupi gjykues, në arsyetimin e vendimit, ka thënë se këta katër, në vitin 2006, për përfitime personale kanë kërcënuar viktimat Shefket Luri, Xhelil Suma dhe Azem Suma për t’u tërhequr nga një tender që e kishin fituar për blerjen e një ferme kafshësh në fshatin Rakaj të Ferizajt.

Derisa Besnik Hasani ndodhet në burg, tre të tjerët nuk do të nisin vuajtjen e dënimin para se vendimi të bëhet i plotfuqishëm.

Zharku dhe Kolshi janë gjobitur edhe me nga 1500 euro për armëmbajtje pa leje. Kryetarit të Kaçanikut, gjatë bastisjes së shtëpisë, policia ia kishte gjetur tre kallashnikovë, municion dhe lëndë shpërthyese.

Duke folur për gazetarët, pas shpalljes së vendimit, Zharku e quajti gjykim politik, duke pretenduar se është dënuar pasi në vazhdimësi ka kritikuar ashpër UNMIK-un.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›