E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre vjet pas vdekjes së Titos, shqiptarët kërkojnë pavarësi

Autori i Lajmit: Androkli Dralo
Beograd, 15 dhjetor 1983 – Të gjitha dritat në dhomën e bërë rrëmujë nga librat ishin fikur për të kursyer, ndërsa flakërima e dobët e një kandili të vjetër mbi tryezën e punës mundohej sadopak të ndriçonte dhomën. “Mos u shqetësoni”, - tha Milovan Gjilasi, disidenti më i njohur i Jugosllavisë me një buzëqeshje pas ndërprerjes së dritave që tashmë është bërë diçka e zakonshme. “Në fund të fundit, Karl Marksi punonte me një kandil si ky. Ne thjesht po u kthehemi rrënjëve tona”. Kjo lojë fjalësh e shoqëruar nga humori i zi thumbues pasqyron prapambetjen dhe copëtimin që ka pllakosur shtetin komunist që pas vdekjes së Josif Broz Titos në maj 1980. Në sytë e botës, Jugosllavia është shndërruar në një vend të prapambetur pas vdekjes së presidentit. Por ajo çka po ndodh këtu është ende rezultat i Lindjes dhe Perëndimit, si për arsye simbolike, ashtu edhe për shkaqe strategjike. Një bum ekonomik që nisi në fundin e viteve 1970, ia ka lënë vendin një situate të tejzgjatur krize politike dhe financiare. Për shkak të ardhjes së ndihmës nga Perëndimi, udhëheqja njëpartiake e Jugosllavisë është nën presion të vazhdueshëm për tua kaluar pushtetin drejtuesve lokalë dhe burokratëve të shtetit për të njësuar tregjet rajonale dhe për të lejuar më shumë demokraci në procesin e vendimmarrjes. Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike të ardhura për shkak të mungesës së theksuar të valutës perëndimore për të blerë naftë dhe thatësira që ka pllakosur për shkak të mungesës së prurjeve në hidrocentrale, nxiti frikën se kandilët dhe elektrikët do të jenë një nevojë gjatë Lojërave Olimpike Dimërore që do të mbahen në qytetin qendror jugosllav, Sarajevë. Por zyrtarët jugosllavë, me krenarinë e tyre kombëtare, kanë garantuar se do të sigurohen të gjitha mjetet që gjatë Lojërave Olimpike dritat të mos mungojnë. Nëse Jugosllavia do të arrijë ta mbajë këtë premtim, kjo do të jetë shumë e rëndësishme për situatën përtej kufijve të saj. Për popujt e bllokut sovjetik pavarësia kombëtare e këtij vendi ballkanas dhe arritjet ekonomike kanë shërbyer për një kohë të gjatë si një kujtesë se atje ka një shtypje të sovjetikëve. Për qeveritë evropianolindore, Jugosllavia po shihet nga afër si një eksperiment i degradimit të fuqisë ekonomike nën sundimin komunist. Për Perëndimin, pozita gjeografike e këtij vendi, që komandon pjesën e fundit lindore të Mesdheut, e bën miqësinë e Beogradit, ose të paktën të vazhdimit të linjës së tij të mosrreshtimit, thelbësor për balancat strategjike në Evropë përgjatë bregdetit të Mesdheut. Për këtë arsye, përpjekja e iniciuar nga SHBA-ja për të shmangur një faliment të shtetit jugosllav përfshin 15 qeveri perëndimore, Fondin Monetar Ndërkombëtar, Bankën Botërore, Bankën Ndërkombëtare të Pasurive dhe rreth 600 institucione të tjera huadhënëse. Më shumë se 4.5 miliardë dollarë në hua të reja dhe shlyerje të shtyra iu siguruan këtij vendi këtë vit, duke i dhënë kohë udhëheqjes së Beogradit për të hartuar një plan të ri ekonomik. Por menjëherë pasi u publikua pjesa e fundit e këtij plani shpëtimi (1983) që u firmos muajin e shkuar, autoritetet e Beogradit lajmëruan se ata po kërkonin një tjetër marrëveshje ndihme financiare për vitin e ardhshëm. Rreziku i një kthese drejt Lindjes u pa së fundmi kur Jugosllavia lajmëroi se ajo do ti kthehej Bashkimit Sovjetik, furnizuesit të saj kryesor me naftë për të shtuar ngarkesat me lëndë djegëse në muajt e ardhshëm. Mbajtja e popujve jugosllavë të bashkuar ka qenë një tjetër sfidë. Vendi është bashkuar nga mbretëritë e para Luftës së Parë Botërore të Serbisë dhe Mali të Zi dhe pjesëve të Perandorive Osmane dhe Austro-hungareze. Nga regjistrimi i popullsisë, dalin dhjetëra grupe kombëtare. Sot vendi është i ndarë në gjashtë republika kushtetuese dhe dy provinca autonome. Tensionet ekonomike po japin ndihmesën e tyre për tensionimet nacionaliste të situatës, duke nxjerrë në pah dallimet mes rajoneve më të varfra si Kosova dhe Maqedonia me ato më të pasurat, Sllovenia dhe Serbia. Kërkesat nga separatistët në Kosovë për bashkimin me Shqipërinë nuk kanë reshtur dhe në Bosnje, fondamentalistët islamikë kanë marrë dënime shumë të ashpra me burg pas përpjekjeve të tyre për krijimin e një shteti islamik. Pushteti dhe forca tërheqëse e Titos ishin një autoritet kryesor për tre dekada me radhë. Pasi ai vdiq, askush tjetër nuk doli për të mbyllur boshllëkun që la pas. Një përfaqësues i një republike të ndryshme apo province drejton çdo vit Partinë Komuniste, një procedurë e sajuar për të paqësuar debatet rajonale, por rezultatet e së cilës nuk janë gjë tjetër veçse një rotacion i dëmshëm për udhëheqësit rajonalë. Në mungesë të një udhëheqjeje kombëtare, republikat janë prirur për të vendosur zhvillimin e tyre përpara nevojave kombëtare. Drejtues rajonalë me shumë ndikim, janë të etur për të ngritur fabrika të mëdha në territorin e tyre, kanë forcuar huatë në valutë të fortë në vitet 1970 që iu shtuan borxhit të Jugosllavisë (20 miliardë dollarë) dhe kanë shkaktuar dyfishimin e kostove të prodhimit të çelikut, naftës dhe fabrikave të tjera industriale. Verën e shkuar, pak përpara shenjave paralajmëruese të ekonomisë të shfaqura në fundin e viteve 1970, një komision qeveritar prodhoi një program afatgjatë stabilizimi ekonomik. Raporti nxiti sajimin e rregullave të çmimeve dhe shkëmbimeve me jashtë, liberalizimin e politikës së taksave dhe masat e tjera që kishin për qëllim kufizimin e ndërhyrjes administrative në ekonomi për të realizuar programin e lavdëruar të vetëmenaxhimit të punëtorëve. Shpallja e këtij programi u shoqërua dhe nga një seancë maratonë parlamentare, në të cilën kryeministri Milka Planinc, mbajti një fjalim për jetë a vdekje përpara vendit, duke shtuar se këto ndryshime do të duan pak kohë për të dhënë rezultate. Që prej atëherë, nuk kanë ndodhur shumë gjëra. Sigurisht, shumë jugosllavë jetojnë më mirë se evropianolindorët e tjerë. Ata janë të lirë të konsumojnë, kanë të ardhurat e tyre vetjake, ndërsa puna në të zezë dhe valuta e fortë për shkak të emigrantëve që punojnë në Perëndim u ka siguruar kushte më të mira jetese. Megjithatë, të ardhurat për frymë kanë rënë me 10 për qind këtë vit.
Ky lajm është publikuar: 17/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›