E Diel, 1 Nëntor 2026

Trebicka, misteri i fundit

The Economist 

Një krater i zymtë shënon një zonë pranë aeroportit të Tiranës, ku një depo artilerie shpërtheu në muajin mars. Shpërthimi vrau 26 persona përfshirë disa fëmijë dhe plagosi më shumë se 250 të tjerë. Dhjetëra shtëpi në fshatrat aty pranë u shkatërruan. Sali Berisha, kryeministri shqiptar, u përgjigj duke shkarkuar nga detyra ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Shtëpitë e dëmtuara po rindërtohen me fondet qeveritare. Por njerëzit janë ende të zemëruar. “Ky”, tha Fiqiri Ismaili, bashkiaku i Vorës, “ishte shkatërrimi më i keq që kur përfundoi komunizmi”.
Zbulimi i shkaktarëve të shpërthimit dhe nxjerrja e tyre para drejtësisë është një test për kredibilitetin e Shqipërisë si një anëtare e ardhshme e NATO-s. Kjo do ta ndihmonte gjithashtu  z.Berisha të arrinte qëllimin e tij për ta kthyer Shqipërinë në një kandidate zyrtare për në BE. Kjo, sepse kritikat më të mprehta për Shqipërinë janë drejtuar në sistemin juridik të vendit. Dhe shumë shpesh, prokurorët dhe gjykatësit marrin ryshfete apo ndikohen nga politikanët.
Pjesa më madhe e viktimave të shpërthimit ishin punëtorë të Albademil, një kontraktues lokal që punonte për një firmë amerikane që e shiste municionin në Afganistan për ushtrinë. Kur ndodhi shpërthimi, disa punëtorë po ripaketonin plumba 40-vjeçarë të vjetër të prodhuara në Kinë, për t’i fshehur origjinën (kontraktuesit e ushtrisë amerikane nuk lejohen të tregtojnë prodhime kineze). Të tjerë po hiqnin pluhurin e barutit dhe detonatorët nga fishekët e supozuar të prishur, në mënyrë që materiali i përftuar të shitej për skrap.
Ina Rama, kryeprokurorja, që drejton hetimin, tha se katër shqiptarë mund të përballen shpejt me akuza. Ajo tha se në vendin e ngjarjes “nuk kishte masa sigurie”. Departamenti amerikan i Drejtësisë ka lançuar hetimin e tij dhe po siguron ndihmë të vlefshme, tha ajo. Megjithatë, shumë shqiptarë i tremben mbulimit të ngjarjes. Në mes të shtatorit, Kosta Trebicka, një biznesmen i kthyer në dëshmitar, u vra ndërsa xhipi i tij u rrëzua në një rrugë të largët malore. Politikanët e opozitës deklaruan se vdekja e z.Trebicka, i cili ishte një dëshmitar për prokurorinë, nuk ishte aksidentale.
Z. Berisha shpreson se anëtarësimi në NATO do ta ndihmojë atë të ndryshojë reputacionin e Shqipërisë për korrupsionin dhe mungesën e ligjit. Megjithatë ai ka arritur suksese. Ekonomia është rritur me rreth 6 për qind në vit, agrikultura po rigjallërohet dhe investimet e huaja kanë nisur të duken. Një kompani kanadeze po merret me naftën; një kompani turke po ndërton një rrjet të ri komunikimi celular. Një autostradë e re për në Kosovë pritet të përfundojë verën e ardhshme, duke lulëzuar tregtinë rajonale dhe duke inkurajuar turizmin. Shqipëria ka pasur rezultate të mira në dy raporte me influencë: ai i Bankës Botërore “Doing Business” dhe të dhënat për korrupsion të “Transparency International”. Nëse vendoset drejtësia mbi shpërthimin e depos së municioneve, vitin tjetër të dhënat do të jenë edhe më të mira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›