“Hëna COCTAIL”, për herë të parë Teatri i Varietesë Shqiptare
“Hëna COCTAIL”, për herë të parë Teatri i Varietesë Shqiptare në tre mënyra; trajnim artistik, teatër variete, prodhim televiziv. Për herë të parë në Shqipëri, merr jetë një projekt kaq i rëndësishëm për ngritjen profesionale dhe trajnimin e talenteve të reja në gjininë e humorit, aktrimit, këngës dhe baletit, ku qëllimi final është interpretimi skenik. Në përgjithësi, talenti shqiptar është përballur deri më sot, vetëm me performanca televizive ku asnjëherë nuk është punuar seriozisht por janë përdorur thjesht për mbarëvajtjen dhe qëllimin e programit në fjalë. Gjithashtu, aktualisht mungon një strukturë e trajnimit dhe e përgatitjes skenike në gjinitë e mësipërme. Duke u bazuar në eksperiencën më të mirë evropiane të shkollave të spektaklit (si p.sh. D.A.M.S. i Bolonjës) ku punohet seriozisht me talentin, menduam të hapim një institucion të ngjashëm për trajnimin dhe përgatitjen e talenteve të reja, përgatitje e cila nuk mësohet aktualisht në sistemet shkollore klasike. Qëllimi kryesor është jo vetëm krijimi i një trupe profesioniste e përbërë nga humoristë, këngëtarë e balerinë, por përgatitja e vërtetë skenike e çdo talenti që në karrierën e tij do të zgjedhë ekranin televiziv. Kjo qendër e trajnimit e prodhimit artistik, përveç përgatitjes,do t’i ofrojë talenteve të reja mundësinë e interpretimit në skenë dhe në ekranin televiziv. Kjo strukturë e trajnimit dhe përgatitjes do të jetë e hapur edhe për të gjithë talentet e Diasporës shqiptare, kudo që ndodhen.
Strukturat e trajnimit dhe prodhimit
Ndërkohë që, në drejtim të asaj që u tha më sipër është ngritur një strukturë e trajnimit dhe prodhimit artistik, në një mjedis rreth 1.000m në afërsi të sheshit “Zogu i zi” në Tiranë. Kështu, në shërbim të talenteve të reja, janë ndërtuar mjediset të tilla si; klasa e aktrimit skenik, salla e baletit, sekretaria artistike, zyra e manaxhimit artistik, studio e regjistrimit audio dhe dopiaxhit, klasa e kantos moderne, garderoba skenike, dhoma e montazhit televiziv dhe salla e orkestrës. Këto do të jenë vetëm ambientet e trajnimit dhe përgatitjes skenike. Për vënien në skenë dhe prodhimin televiziv të spektakleve të përgatitura, do të punohet në sallën e ish Teatrit të Kukullave, në Tiranë e rikonstruktuar kohët e fundit dhe shumë funksionale. Kjo sallë do të kthehet në një studio të vërtetë televizive ku programet e varietesë shqiptare do të kompozohen dhe filmohen totalisht nga stafi i krijuesve dhe artisteve tanë.
Stafi krijues dhe pedagogët
Janë zgjedhur profesionistët më në zë të artit shqiptar, si brenda dhe jashtë vendit. Ky staf i krijuar do të jetë garanci për nivelin artistik të varieteve që do të shfaqen në ekranet tona si dhe për jetën koncertale që do të zhvillohet në skenat më të rëndësishme shqiptare. Stafi drejtues do të jetë i përbërë nga: Koco Devole, Regjisor dhe autor; Bujar Kapexhiu, autor; Gazmend Gjoka, Pedagog aktrimi;
Gjergj Leka , drejtues muzikor; Flamur Shehu, kompozitor; Joli Gjovreku, koreografe; Erjon Shima, video- grafikë; Pëllumb Kulla, autor; Leka Bungo, autor; Fatmir Minga, skenograf.
Kalendari koncertal dhe i prodhimit
Stafi drejtues i qendrës, në datat 18-19 mars do të zhvillojë audicionet mbarëkombëtare të talentit në Akademine e Arteve. Nga ky audicion në gjinitë e aktrimit, humorit, këngës dhe baletit do të përzgjidhen elementet më të talentuar për krijimin e kompanisë së varietesë shqiptare. Kjo kompani do të përbëhet nga: pesë aktorë të rinj, katër balerina, katër këngëtarë dhe tetë instrumentistë të cilët do të përgatisin shfaqjen e parë variete, përkrah artistëve të ftuar profesionistë. Ky staf nuk do të jetë definitiv se gjithmonë do të rinovohet me artistë të rinj të cilët do të trajnohen dhe përgatiten në qendrën e spektaklit. Shfaqja e parë (premiera) do të jepet në ditët e para të shtatorit. Kjo variete do të prekë skenat më të mira shqiptare në një turne të organizuar nga qendra jonë e spektaklit. Kjo variete do të shfaqet në ekran në fund të shtatorit. Është menduar që programi televiziv variete të ketë 16 puntata. Paralelisht me shfaqjen e parë variete, do të prodhohet nga qendra edhe një program tjetër dedikuar festave të dhjetorit dhe kryesisht, programit të vitit të ri 2011. Gjatë muajve të verës 2010, në skenën verore të Hëna Resort, në Golem, do të organizohet një festival i varietesë shqiptare, ku humoriste,këngëtare,balerine dhe instrumentiste do te përballen me publikun. Ky festival do te filmohet dhe prodhohet nga qendra jone për tu transmetuar me pas nw një nga televizionet e kryeqytetit. Nga ky festival do të përzgjedhim talentet më të përgatitur për të vazhduar jetën e tyre koncertale dhe trajnimin artistik së bashku me artistët e kompanisë sonë. Qendra e spektaklit, nuk do të prodhojë vetëm shfaqje dhe seriale të varietesë, por do të funksionojë edhe si një qendër e vërtetë diskografike dhe e prodhimit muzikor për këngëtarë dhe instrumentistë, do të furnizojë me elemente të rinj dhe të përgatitur të gjitha strukturat mediatike shqiptare dhe do të menaxhoje direkt artistët e saj.
16 Mars 2010