E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inagurohet në Prishtinë ambasada e Maqedonisë



Presidenti Fatmir Sejdiu, ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Miloshoski, ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni si dhe ambasadorë të akredituar në Kosovë, morën pjesë në inaugurimin e Ambasadës së Republikës së Maqedonisë në Prishtinë. Hapjen e ambasadës së Republikës së Maqedonisë, Presidenti Fatmir Sejdiu e vlerësoi si një moment të veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve sovrane. “Hapja e ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë është një moment i veçantë në zhvillimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve tona sovrane dhe kemi kënaqësinë që në Kosovë kemi ministrin Miloshoski”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai foli edhe për përvojat e Maqedonisë në rrugën e integrimeve, me ç’rast tha se ato do të jenë të rëndësishme edhe për Kosovën, sidomos sa i përket rrugëtimit drejt NATO-s dhe Bashkimit Europian. Duke folur për marrëdhëniet mes dy vendeve, Presidenti Sejdiu tha se njerëzit e biznesit, të shkencës, të kulturës nga Kosova dhe nga Maqedonia kanë lëvizur edhe më herët sesa politika, dhe është me rëndësi që janë krijuar baza të mira të komunikimit dhe strukturë legjislative mbështetëse nga të dy vendet. Në fund të fjalës së tij, Sejdiu përsëriti qëndrimin e shprehur edhe në takimin e mëhershëm me Presidentin Gjorge Ivanov se është fat për të dy vendet që në këto zhvillime kanë miq të përbashkët ndërkombëtarë dhe se do të vazhdohet në këto aleanca.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›