E Diel, 1 Nëntor 2026

Dell, thirrje qeverisë kosovare: “Korrupsionin luftojeni vetë”



Blerina Olldashi

Pak ditë pas daljes së raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për korrupsionin në Kosovë, ambasadori amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell i bën thirrje qeverisë ta luftojë vetë korrupsionin, pasi kjo detyrë u takon vetëm autoriteteve vendore. “Shoqëria juaj ende shikon nga bashkësia ndërkombëtare për të kërkuar drejtësi. Edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar apo trupa të tjerë ndërkombëtarë, kërkojnë që Qeveria juaj të mbajë përgjegjësitë e saj. Nëse ju vareni nga ne, që ne të bëjmë thirrje për korrupsionin, kjo nuk do të ketë ndikim pozitiv për Kosovën. Kjo është shenjë e moszhvillimit. Kjo thirrje duhet të vijë nga brenda, nga njerëzit”, ka thënë Dell me rastin e fillimit të trajnimit të forcave kundër trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të lëndëve narkotike dhe korrupsionit publik. Ambasadori amerikan ka përçuar mesazhin se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ai ka theksuar se sundimi i ligjit duhet t’iu mundësojë qytetarëve qasjen në drejtësi dhe është shenjë se ku është Kosova dhe ku duhet të shkojë. “Një nga gjërat që ne kemi mësuar për më se 200 vjet është se nuk mund ta luftoni korrupsionin, nuk mund t’ua kufizoni pushtetin atyre që mbajnë poste qeveritare nëse themelet e institucioneve tuaja, të shoqërisë suaj, nuk janë të fuqishme dhe nëse nuk balancojnë njëra-tjetrën. Trajnimi që do të ndiqni këtë javë, është një nga ato tullat e vogla, por të rëndësishme në vënien e themeleve të një shoqërie ku sundon ligji”, u ka thënë ambasadori Dell gjyqtarëve, prokurorëve dhe policëve kosovarë. Ai ka kërkuar një bashkëpunim më të ngushtë mes hallkave të gjyqësorit, në mënyrë që besimi i qytetarëve në këtë sistem të rritet. “Nëse njerëzit shikojnë përreth dhe nuk shohin se liderët e tyre të mbartin përgjegjësi, nëse e shohin se s’mund të kenë ndikim në drejtësi, në gjykata, ata shumë shpejt do të humbasin besimin në proces dhe do të ndalen së kërkuari drejtësinë dhe ju do të hyni në një spirale të korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin”, është shprehur Dell. Më tej Dell ka shtuar se qarku duhet të pritet në fillim, jo nga bashkësia ndërkombëtare, por nga vetë populli i Kosovës. Kjo, sipas tij, bëhet duke kërkuar drejtësi për veten dhe përgjegjësi nga liderët. Ndërsa Ismet Kabashi, kryeprokuror i Kosovës, ka deklaruar se të gjitha krimet kudo që ndodhin, ato janë të rënda. Ai ka shtuar se trafikimi i njerëzve, trafikimi i drogave dhe korrupsioni publik janë dukuritë më negative, që ndikojnë qenësisht në demokratizimin e shoqërisë dhe sigurimin e sundimit të ligjit në Kosovë. Në këtë trajnim kanë qenë të pranishëm edhe zyrtarë nga Policia e Kosovës. Gazmend Hoxha nga Departamenti kundër krimit të organizuar, trajnimet e tilla i ka konsideruar të rëndësishme. Trajnimi organizohet nga Ambasada Amerikane në Prishtinë dhe ka për qëllim shkëmbimin e përvojave në sektorin e gjyqësisë mes punëtorëve gjyqësor nga Karolina Veriore dhe atyre nga Kosova.

16 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›