E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet, datat e konkurseve për Artet, Sportet dhe Arkitekturën



Jonida Tashi

Pas përfundimit të katër provimeve të Maturës, kandidatët që duan të ndjekin studimet në Akademinë e Arteve, Sporteve dhe në Arkitekturë, do t’i nënshtrohen gjatë këtij muaji edhe një konkursi specifik. Konkursi i pranimit, që përfshin talentin dhe përgatitjen fizike, do të ketë një peshë të madhe për t’u shpallur fitues në Akademinë e Arteve, Sporteve dhe në Arkitekturë. Maturantët që do të pranohen në këto institucione, përveç rezultateve të Maturës Shtetërore, do t’u duhet të jenë të suksesshëm edhe në këto konkurse, që organizohen për shkak të profilit të veçantë të këtyre programeve. Nëpërmjet një udhëzimi të veçantë, Ministria e Arsimit, bën publik procesin se si do të përzgjidhen kandidatët fitues për në universitet në këto institucione publike arsimore. Në këtë udhëzim, është përcaktuar edhe mënyra e organizimit të konkurseve të pranimit, që do të realizohen në disa Institucione publike të Arsimit të Lartë (IAL).
Pranimet
Pranimet e studentëve në Akademinë e Arteve, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”, në programin e studimit të Arkitekturës të Universitetit Politeknik të Tiranës dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit të Shkodrës, ashtu si dy vite më parë, do të bëhen mbi bazën e rezultateve të Maturës Shtetërore dhe të rezultateve nga konkursi i pranimit, i organizuar nga këto Institucione Publike të Arsimit të Lartë. Këtë vit, MASH-i vendosi t’i organizojë këto konkurse në korrik, në mënyrë që raundet e pranimeve në universitete, sipas sistemit Meritë-Preferencë(MeP), të përfundojnë më herët dhe brenda javës së parë të vitit akademik 2008-2009. Udhëzimi parashikon gjithashtu që, rektoratet dhe dekanatet e Institucioneve publike të Arsimit të Lartë të shpallin në Këndin e Njoftimeve dhe në mjediset e dukshme të institucioneve të tyre: datat dhe oraret e veprimeve të regjistrimit, procedurat përkatëse, listën e dokumenteve të nevojshme, për të siguruar një ecuri normale të procesit të regjistrimeve në konkursin e pranimit, për ciklin e parë të studimeve me kohë të plotë.

Përqindjet e pikëve
Akademia e Arteve
Në Akademinë e Arteve rezultatet e Maturës Shtetërore do të llogariten në masën 20 për qind dhe rezultatet e konkursit të pranimit në masën 80 për qind. Në bazë të propozimit të këtij institucioni, kandidati që nuk do të marrë 25 për qind të pikëve të konkursit të pranimit nuk fiton të drejtën për të studiuar në programet e studimit të kësaj Akademie për vitin akademik 2008-2009.
Akademia e Sporteve
Ndërsa në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” në Tiranë dhe në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” të Universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, raporti mes provimeve të Maturës dhe konkursit të pranimit do të jetë në masën 30 për qind (Matura) me 70 për qind (konkursi).
Arkitektura
Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës, ky raport i rezultateve do të jetë në masën 35 për qind me 65 për qind, ku përsëri peshën kryesore do ta ketë konkursi i IAL.

Datat e konkurseve
Periudhat kohore për datat e zhvillimit të konkurseve të pranimit në këto Institucione publike të Arsimit të Lartë, do të jenë sipas këtij kalendari:
Akademia e Arteve
Për të gjitha programet e studimit në:
Fakultetin e Muzikës 22-30 korrik 2008
Fakultetin e Artit Skenik 22-26 korrik 2008
Fakultetin e Arteve Figurative 22-25 korrik 2008
Akademia e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi”
Për të gjitha specialitetet: 22-27 korrik 2008
Universiteti “Luigj Gurakuqi” i Shkodrës
Për “Edukim fizik dhe sporte” 28-31 korrik 2008
Universiteti Politeknik i Tiranës
Për degën “Arkitekturë” 26-28 korrik 2008

Tarifat e regjistrimit
Tarifat e regjistrimit të kandidatëve pjesëmarrës në konkurset e pranimit në Institucionet e mësipërme publike të Arsimit të Lartë, do të jenë:
Në të gjitha programet e studimit në Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve “Vojo Kushi” 4 000 lekë (të reja)
Në të gjitha programet e studimit në
Akademinë e Arteve 4 500 lekë (të reja)
Në programin e studimit “Edukim fizik dhe sporte” në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” 4 000 lekë (të reja)
Në programin e studimit “Arkitekturë” në Universitetin Politeknik të Tiranës 4 500 lekë (të reja)

21 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›