Operacionet anti-Cannabis, prangosen 5 vetë në Berat, Durrës dhe Vlorë
Operacionet anti-Cannabis vazhdojnë në disa rrethe të vendit, ku vetëm gjatë ditës së djeshme në aksionet e bëra në Berat, Vlorë dhe Durrës janë asgjësuar mbi 1200 rrënjë bimë narkotike. Burimet zyrtare të policisë raportojnë se janë ndaluar 5 persona në Durrës dhe Vlorë. Sipas zëdhënëses së Policisë së Qarkut të Durrësit, të premten pasdite, rreth orës 18.00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Mark Dema, lindur dhe banues në Bizë të komunës së Ishmit. Arrestimi i 75-vjeçarit u bë në vijimësi të punës për kontrollin e territorit mbi evidentimin e kultivimit të bimëve narkotike, pasi dy ditë më parë, në fshatin Bizë Ishëm, në tokën pronë e tij, u bë e mundur të konstatohet një parcelë me sipërfaqe prej 200 m2, në të cilën gjendeshin 43 rrënjë bimë narkotike të dyshuara si Sanabis Sativa. Burimet policore shprehen se u bë asgjësimi i bimëve narkotike ndërsa materialet procedurale për të moshuarin Dema i kaluan prokurorisë së rrethit e cila do ta hetojë për veprën penale të “kultivimit të bimëve narkotike”. Ndërsa të shtunën paradite, policia e Vlorës asgjësoi 150 rrënjë Cannabis Sativa në afërsi të fshatit Rexhepaj, rreth 30 km larg këtij qyteti. Burime zyrtare të policisë thanë se bimët narkotike, me një lartësi 1-2 metra, u zbuluan në vendin e quajtur "Kamenicë", në afërsi të fshatit Rexhepaj. Kanabisi ishte kultivuar në 2 parcela, të çelura për këtë qëllim, pranë shtratit të lumit Vjosë, të cilat rezultuan pa pronarë. Në aksionet e zhvilluara deri tani, policia e Vlorës ka asgjësuar rreth 6800 bimë narkotike Cannabis Sativa, ndërkohë që ka ndaluar 4 persona.
Të premten në mbrëmje edhe efektivat e policisë së Beratit kanë organizuar disa operacione anti-Cannabis në fshatin Rehovë të komunës së Terpanit. Sipas burime zyrtare, janë zbuluar dhe asgjësuar rreth 1000 rrënjë Cannabis Stativa që ndodheshin në mbjella në 3 parcela të këtij fshati, rreth 46 km në jug të qytetit të Beratit. Tre parcelat e mbjella me bimën narkotike zinin një sipërfaqe rreth 3000 metër katror dhe ndodheshin në territorin e pyllit me pisha të fshati Rehovë. Policia ka marrë në pyetje disa banorë të këtij fshati, të cilët dyshohet të jenë edhe kultivuesit e kësaj bime dhe po punohet për identifikimin dhe prangosjen e kultivuesve.
Operacioni në Rehovë të Beratit
Asgjësohen rreth 1000 rrënjë Cannabis Sativa
Asnjë person i arrestuar
Operacioni në Bizë të komunës së Ishmit
Asgjësohen rreth 45 rrënjë Cannabis sativa
Arrestohet shtetasi Mark Dema
Operacioni në fshatin Rexhepaj të Vlorës
Asgjësohen rreth 150 rrënjë Cannabis Sativa
Ndalohet katër persona të dyshuar
21 Korrik 2008