Prangoset prifti dhe 3 police per trafik klandestinesh drejt Greqise
TIRANË – Një operacion i organizuar kundër trafikut klandestin në të gjithë vendin ka sjellë prangosjen e disa personave, me të cilëve edhe punonjës të pikave të kalimit kufitar. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit raportojnë për të paktën 14 persona të ndaluar gjatë 36 orëve të fundit, ku tre prej tyre janë punonjës së Pikës së Kalimit Kufitar të Kapshticës, dhe një tjetër prift në fshatin Karavasta të rrethit të Lushnjës. Mbrëmjen e së premtes u ndaluan dy person në qytezën e Bilishtit, ndërsa gjatë paradites së djeshme pati dy operacione të tjera në Korçë dhe Sarandë. Sipas burime, operacioni i koduar me emrin “Korridori i lirë” u organizua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, në bashkëpunim me Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me Drejtoritë e Policisë në Qarqet Tiranë, Korçë, Fier dhe Vlorë.
Arrestimet e rrjeteve klandestine
Burimet zyrtare raportojnë se janë arrestuar shtetasit: Leonard Belortaja, 32 vjeç, Artur Likollari, 42 vjeç, Altin Qatipi, 30 vjeç, Edmond Tollkuçi, 35 vjeç, Manol Xhamia, 48 vjeç, Ilir Çipi, 38 vjeç, Mihal Shuli, 47 vjeç. Ndalimi i këtyre personave u bë mbi bazën e Urdhër- ndalimit të Prokurorëve të njësisë Taks Force, për veprat penale të “Korrupsionit pasiv nga punonjës që ushtrojnë funksione publike” , “Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit me qëllim përfitimi”, “Falsifikim i pasaportave, vizave formularëve”, “Falsifikim i vulave, i stampave ose formularëve”, “prodhim i mjeteve për falsifikim dokumentesh” të kryera në bashkëpunim. Gjithashtu, po me urdhër të kësaj njësie është bërë edhe ndalimi i tre punonjësve të policisë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës; dhe konkretisht i shtetasve: Ismet Rroqi, 29 vjeç, përgjegjës turni, Sefer Çollaku, 50 vjeç, kontrollor në Pikën e Kalimit Kufitar dhe Rajmondi Duro, 40 vjeç, kontrollor. Dy ditë më parë ishin ndaluar edhe Fatjon Seferi, 25 vjeç, nga Fushë -Kruja dhe Mariol Hoxha, 21 vjeç, nga qyteti i Bilishtit, pasi po kalonin në mënyrë ilegale drejt Greqisë një grup prej 7 emigrantësh klandestinë me banim në rrethe të ndryshme të vendit si Fushë Krujë, Kamëz, Korçë, Kukës, Mat e Bilisht. Mësohet se ata do të përfitonin shumën prej 800-900 euro për person pasi i ndihmonin për të kaluar kufirin tokësor pranë fshatit Vërnik( Devoll). Ata akuzohen për veprën penale të "dhënies ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit për qëllime fitimi". Po dje, forcat e Policisë së Qarkut të Vlorës organizuan operacionin e koduar me emrin “Igumenica”. Në përfundim të tij, dy të rinjtë Gladiol Metushi, 31 vjeç dhe Erald Metushi, 21 vjeç, u ndaluan nga policia në qytetin e Sarandës, rreth orës 10:30 të ditës së djeshme. Sipas zëdhënëses së policisë së Vlorës, Rezarta Leli, « hetimi ndaj dy shtetasve ka nisur në prill të 2008, kur dy të rinjtë kanë trafikuar tre shtetas në drejtim të Greqisë dhe më pas në Itali, ku i kanë pajisur me leje qëndrimi të falsifikuara. Mësohet se policia po heton nëse dy te rinjte janë pjesë ë një rrjeti trafiku, që e ka bazën në qytetin e Igumenicës në Greqi.
Hetimet për rrjetin
Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit bëjnë të ditur se të gjithë këta persona kanë rezultuar pas disa muaj hetimesh, pjesë e një rrjeti të mirë-organizuar për kalimet e shtetasve shqiptarë nga Shqipëria në Greqi dhe më pas në Itali, të cilëve u merrnin si shpërblim shumën prej 2000 eurosh. Rrjeti siguronte falsifikimin e dokumenteve të ndryshëm si pasaporta, viza, certifikata, leje qëndrimi e çdo lloj dokumenti tjetër që nevojitej. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e personave të mësipërm, u gjetën dokumente shkresore që vërtetojnë plotësisht aktivitetin e tyre kriminal, si pasaporta, kompjutera, certifikata personale dhe familjare në emër të personave të ndryshëm, fotografi e dokumente të tjera të falsifikuara. Gjithashtu, janë sekuestruar 6 automjete që përdoreshin nga këta persona për lëvizjen e shtetasve të ndryshëm jashtë Shqipërisë, 20 pasaporta, 12 celularë etj. Ndërkohë që sipas policisë, hetimi për zbardhjen e plotë të këtij trafiku nuk është mbyllur ende. Vitin e kaluar u organizua një operacion policor në Qarkun e Vlorës ku u arrestuan disa punonjës policie për trafik klandestin drejt Greqisë përmes territorit kufitar në Sarandë.
TË ARRESTUARIT
Leonard Belortaja, 32 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me punë shofer
Artur Likollari, 42 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me punë shofer.
Altin Qatipi, 30 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me punë shofer.
Edmond Tollkuçi, 35 vjeç, lindur dhe banues në Korçë
Manol Xhamia, 48 vjeç, lindur dhe banues në Bilisht, me punë shofer.
Ilir Çipi, 38 vjeç, lindur dhe banues në Korçë, me punë në sektorin privatë.
Mihal Shuli, 47 vjeç, banues në Lushnjë, prifti i fshatit në Karavasta
Fatjon Seferi, 25 vjeç, lindur dhe banues në qytezën e Fushë -Krujës
Mariol Hoxha, 21 vjeç, lindur dhe banues në qytetin e Bilishtit
Gladiol Metushi, 31 vjeç, Sarandë
Erald Metushi, 21 vjeç, Sarandë
ZYRTARËT E PRANGOSUR
Ismet Rroqi, 29 vjeç, përgjegjës turni në PKK të Kapshticës
Sefer Çollaku, 50 vjeç, kontrollor në PKK të Kapshticës
Rajmondi Duro, 40 vjeç, kontrollor në PKK të Kapshticës
21 Korrik 2008