E Diel, 1 Nëntor 2026

Vidhnin kapakët e pusetave, arrestohen në flagrancë nga policia



Tiranë – Uniformat blu kanë vënë në pranga dy persona që vidhnin e më pas i shisnin për skrap kapakët e pusetave. Burime të sigurta thanë për gazetën “Albania” se Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 Tiranë, arritën të identifikojnë dhe të arrestojnë në flagrancë shtetasit Emin Berisha, 44 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për “Vjedhje” dhe Arjan Sejfullahu, 26 - vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.
Arrestimi i tyre u krye sepse dy ditë më parë rreth orës 00:15, janë kapur në flagrancë duke vjedhur dy kapakë pusetash në rrugën “Llambi Bonato”. U kryen veprimet procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë, për veprën penale të “Vjedhjes” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/2 i Kodit Penal.

Ndalohet vjedhësi i kabinave të plazhit në Durrës

Durrës – Dy ditë më parë u arrestua në flagrancë Arbër Shaqirukaj, 21-vjeç, lindur në Tropojë e banues në lagjen Nr. 10 Tiranë, i dënuar me parë për prishje të qetësisë publike. Arrestimi i tij u be për arsye se më datë 18.07.2008, rreth orës 20:30, në lagjen Nr. 13 Durrës, në zonën e Shkëmbit të Kavajës, është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë pasi kishte kryer vjedhjen e banesave të shtetasve V.K., A.B. si dhe kishte tentuar vjedhjen e banesës së shtetasit A.T. Në cilësinë e provës materiale shtetasit në fjalë iu gjetën e bllokuan tri çanta me sende të vjedhura në këto banesa. Materialet për veprën penale të vjedhjes iu kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës.

Shpallet në kërkim, qëlloi me armë në ajër pas sherrit me bashkëmoshatarin

Durrës – Policia ka shpallur në kërkim një të ri pasi qëlloi dy herë me armë në ajër pas një sherri banal me një bashkëmoshatar. Burime të sigurta thanë se më 18 korrik 2008, rreth orës 19:30, në lagjen Nr. 17 Durrës, Kastriot Alidemiraj, vitlindja 1986, lindur ne Burrel e banues në Durrës, gjatë një konflikti të çastit dyshohet se ka kanosur duke qëlluar dy herë në ajër me armë zjarri, shtetasin A.B. dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia kreu veprimet e para; u bë sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i armës së zjarrit, automatik model 56. Shërbimet policore po punojnë për kapjen e shtetasit Kastriot Alidemiraj. Materialet procedurale për veprat penale të mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake dhe kanosjes iu përcollën për ndjekje Prokurorisë së Rrethit Durrës.

21 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›