Trafiku, gjendet çanta me fishekë në kufirin shqiptaro-maqedonas
RAJCE - Zbulohet trafiku i armëve me Maqedoninë. Policia kufitare e Rajcës në Maqedoni ka zbuluar në kufi një çantë të mbushur me fishekë pranë “Piramidës 41”. Menjëherë për kësaj ata kanë vënë në lëvizje strukturat policore duke vënë alarmin për gjetjen e autorit. Sipas të dhënave të para mendohet se autori i trafikimit të fishekëve ka braktisur çantën dhe mund të ketë kaluar kufirin. Aktualisht uniformat blu të policisë maqedonase dhe asaj shqiptare janë vënë në lëvizje për të identifikuar dhe kapur autorin.
Sipas ekspertizës, fishekët e ndodhur në çantë janë për përdorim pistolete. Gjithashtu mësohet se sasia e fishekëve ishte futur në një çantë të stërmadhe shpine të cilën autori pasi është ndjekur nga policët e kufirit e ka lënë atë parën “Piramidës 41” dhe është larguar duke kaluar në pikën kufitare të Maqedonisë. Ekspertët kanë marrë gjurmët e gishtave të lënë në çantën e shpinës për të identifikuar më pas edhe autorin. Aktualisht vazhdojnë kërkimet e uniformave blu për të kapur personin i cili mbante mbi shpinë sasinë e fishekëve.
Masa, "arrest në burg" për tre zjarrvënësit
VLORË - Gjykata e Vlorës lë në qeli tre persona, të dyshuar si autorë të zjarreve që u shfaqën ditët e fundit në këtë rreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale. Në seancën e vlerësimit dhe të caktimit të masës së sigurisë, u shqyrtuan provat në ngarkim të shtetasve Bari Lamaj, Klement Rrapushi, Qerim Çeloaliaj, si dhe deklarimet e tjera, që kishte siguruar organi i akuzës. Në përfundim, u vlerësua i ligjshëm ndalimi i tre shtetasve dhe u caktua ndaj tyre masa e sigurisë "arrest në burg", për shkak se ata kishin konsumuar elementë të veprës penale “të shkatërrimit të pronës me zjarr”. Çeloaliaj, Lamaj e Rrapushi, u ndaluan katër ditë më parë pas zjarreve që ranë në zonat e Orikum, si dhe fshatrave Oshëtimë e Trevllazër, të cilët dogjën tre banesa, një fabrikë të prodhimit të ujit, si dhe shkrumbuan sipërfaqe të konsiderueshme me pemë frutore, ullinj dhe shkurre.
Përgjaken rrugët, shpejtësia shkakton disa të plagosur
Aksidentet e ndodhura gjatë 36 orëve të fundit kanë shtuar ndjeshëm bilancin tragjik të rrugëve të vendit tonë. Burimet zyrtare të Policisë së Shtetit raportojnë për incidente në disa akse rrugore të vendit tonë. Një aksident me pasojë plagosjen e një personi ka ndodhur pasditen e djeshme në rrugën Vlorë-Orikum, në vendin e quajtur Kalaja. Një kamion me targa VL3585C është përplasur me një automjet tip Audi me targa të Tiranes. Sipas policisë, kamioni ishte duke ardhur nga Orikumi në drejtim të Vlorës ku duhet të çonte në destinacion një ngarkesë me zhavorr dhe është përplasur me mjetin, brenda të cilit ndodheshin tre persona. Për pasojë mbeti i plagosur njëri prej Audit, i cili ka thyer dorën si dhe ka marrë shembje në trup, por jashtë rrezikut për jetën. Po dje paradite është vetë-plagosur një drejtues mjeti në rrethin e Gramshit. Shtetasi Bilal Hasa, teksa po udhëtonte me mjetin tip “benz” me targa GR 1173 B, dhe ka dalë nga rruga në vendin e quajtur "Rrahu i bardhë". Mësohet se 35-vjeçari Hasa u plagos rëndë dhe është dërguar menjëherë në Spitalin Ushtarak, për një kurim më të specializuar. Mbrëmjen e së premtes u plagosën 3 persona në Elbasan si pasojë e një aksidenti të trefishtë.
21 Korrik 2008