Tregjet, të sunduar nga prodhimet e huaja
Tiranë- Pavarësisht rritjes së prodhimit të mallrave “Made in Albania”, sërish tregjet tona mbizotërohen nga mallrat e huaja. Muaji qershor, zyrtarisht ka njohur shifra negative të bilancit tragtar.
Edhe pse, sipas Institutit të Statistikave, gjatë qershorit kemi pasur një rritje të eksporteve shqiptare kundrejt importeve, sërish raporti ngelet në favor të këtyre të fundit.
Gjatë qershorit janë eksportuar mallra me vlerë rreth 11,5 miliard lekë, ose rreth 13 për qind më shumë se në muajin maj. Pavarësisht mbizotërimit të importeve, gjatë qershorit është importuar më pak se në muajin maj.
Në tregjet shqiptare gjatë qershorit kanë hyrë mbi 36.3 miliard lekë mallra. Rritja e eksporteve është tërësisht sezonale dhe nuk ka shpresa për ndryshim të bilancit tregtar.
Krahasuar me një vit më parë, raporti import/eksport është thelluar dukshëm. Në muajin qershor janë importuar më shumë mallra, pasi vlera e tyre ëhstë rreth 20 për qind më shumë se një vit më parë.
Instituti i Statistkave bën të ditur se defiçiti tregtar i këtij muaji është 25 miliard lekë, duke shënuar një ulje prej 6 për qind krahasuar me muajin paraardhës, por një rritje prej 16 për qind krahasuar me muajin respektiv të vitit 2007. Krahasimet janë bërë në vlera monetare, por në sasi nuk dihet nëse është i njëjti raport. Vitin e fundit, çmimet e pothuajse të gjitha produkteve janë rritur ndjeshëm.