E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia hyn në Lazarat por gjen shumë pak hashash

 

OPERACIONI

- Në operacion ka marrë pjesë “elita” e policisë e armatosur me snajper por sërish nuk janë arrestuar kultivuesit e kanabisit. “Sukses” fakti që banorët nuk janë kundërpërgjigjur me armë

GJIROKASTËR- Policia e Shtetit dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe ato të RENEA-s kanë arritur të thyejnë “mitin” e hashashit në Lazarat duke kryer një operacion blic në shtëpitë e fshatarëve “rebelë”. Por rezultatet e operacionit nuk kanë qenë shumë të kënaqshme dhe krerët e policisë kanë preferuar që të mos mburren duke dalë në të gjitha mediat e mundshme. Operacioni i koduar “Era e malit”, ku ka marrë pjesë “elita” e policisë shqiptare, ka përfunduar me shkuljen e vetëm 8105 rrënjë bimë narkotike. Ato janë asgjësuar në vend ndërsa uniformat blu nuk kanë mundur që të prangosin asnjë prej personave që kishin mbjellë bimët narkotike. Sipas policisë, gjatë kësaj ndërhyrjeje nuk ka pasur asnjë lloj problemi dhe ky duhet konsideruar si një sukses duke pasur parasysh se herët e tjera policia është pritur me armë që në hyrje të fshatit. Këtë herë policia kishte marrë masa që të ruhej edhe me snajper.

Operacionet e njëpasnjëshme antikanabis të ndërmarra nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Gjirokastër janë përqendruar ditën e djeshme ne fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër. Në një aksion të mirë organizuar është bërë i mundur lokalizimi dhe më tej edhe shkatërrimi i plot 19 parcelave të mbjella me kanabis sattiva.

Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër kanë bërë të ditur se operacioni antikanabis ka nisur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe ka gjetur mbështetjen edhe të forcave speciale. “Rreth orës 04.00, të mëngjesit, efektivat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër në bashkëpunim me forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Tiranës, mbështetur nga Forcat Speciale Renea, kanë zhvilluar me sukses një operacion të koduar ”Era e Malit” në fshatin Lazarat, të komunës Lazarattë rrethit Gjirokastër, përevidentimin e parcelave të mbjella me bimë narkotike, si dhe shkatërrimin e asgjësimin e këtyre bimëve”, ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai. Mësohet se asgjësimet e bimëve narkotike kanë nisur fillimisht nga lagjja Kordhocë dhe kanë vijuar më tej deri në brendësi të fshatit Lazarat, duke shteruar në këtë mënyrë të gjithë informacionin që disponohej për kultivim të bimëve narkotike.

Ndërkaq, në asnjë prej parcelave të evidentuara me kanabis sativa, sipas policisë, nuk ka pasur asnjë banor të zonës. “Në momentin e mbërritjes së policisë, kryefamiljarët janë larguar nga banesat e tyre, si dhe në parcelat përreth nuk u gjet asnjë person. Janë evidentuar të gjithë pronarët e banesave dhe të parcelave përreth. Nuk pati konfrontime të banorëve me policinë , si rezultat operacioni ka vijuar normalisht. Po punohet për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve”,- ka vijuar më tej zëdhënësi Mullai. Sipas tij, si rezultat i këtij operacioni janë evidentuar 19 parcela të mbjella me bimë narkotike, të cilat ishin në oborret e shtëpive, banesa të braktisura dhe në territoret përreth këtyre banesave. “Gjithsej janë evidentuar 8105 rrënjë bimë narkotike të llojit Kanabis Sativa , të cilat varionin nga 180 centimetra deri në 220 centimetra të larta”,- thanë dje burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës.

HETIMI

Policia merr për provë kampionetë bimës

GJIROKASTËR- Pasi policia nuk ka mundur që të arrestojë asnjë nga personat që ka kultivuar bimët e hashashit në oborrin e shtëpisë, ka marrë disa kampione për provë materiale. Burimet zyrtare të policisë së Gjirokastrës pohuan se pasi janë marrë disa rrënjë nga çdo parcelë në cilësinë e provës materiale, pjesa prej 8105 rrënjëve kanabis sattiva është asgjësuar në vend me anë të djegies. Edhe gjatë këtij operacioni policia ka pasur frikën e një kundërpërgjigjeje nga ana e banorëve të fshatit. Për këtë arsye përgjatë të gjithë periudhës prej gjashtë orësh të zhvillimit të këtij operacioni policor, aksi kombëtar Gjirokastër- Kakavijë, e veçanërisht në hyrje dhe dalje të fshatit Lazarat ka qenë i monitoruar dhe i mbikëqyrur nga dhjetëra forca policore, madje edhe nga snajperë, por nuk është shënuar asnjë incident. Nga ana tjetër, burime të policisë kanë bërë të ditur se ky institucion do të vazhdojë operacionet për shkatërrimine parcelave të kultivuara me bimë narkotike në të gjithë territorin e qarkut ku do evidentohen të tilla.

-----------------------------------------------Precedenti

Policia dhe prokuroria lokale kanë anashkaluar çështjen duke e kthyer atë në një protestë banale të banorëve

Lazaratasit dogjën policinë e Gjirokastrës, asnjë i dënuar

Një vit më parë, kur policia vrau gjatë operacionit një të kërkuar nga Lazarati, është shënuar edhe incidenti më i rëndë që ka lidhje me këtë fshat. Banorët e fshatit, tepër të revoltuar sulmuan policinë e Gjirokastrës duke bërë që për pak kohë shteti të përkulej përpara tyre. Dhjetëra banorë kanë qëlluar me gurë komisariatin e policisë, kanë djegur makinat e policisë dhe kanë shkatërruar gjithçka që u doli përpara duke mos hasur në asnjë reagim nga shteti. Makinat janë lënë të digjen përpara komisariatit dhe askush nuk ka ndërhyrë për të ndaluar këtë gjë. Gjatë kësaj kohe policia u mbyll brenda në komisariat dhe vetëm pas 40 minutash arriti që të reagojë disi duke larguar turmën që më së shumti iku vetë pas kërkesës së kryetarit të komunës. Snajperët e RENEA-s kontrollonin situatën nga tarraca e komisariatit por nuk kanë qëlluar asnjë herë ndaj turmës. I vetmi reagim i policisë pas ngjarjes ishte dërgimi i forcave shtesë nga Tirana për të përballuar ndonjë sulm të dytë të banorëve të Lazaratit. Por edhe sot, një vit më pas, asnjë masë nuk është marrë në lidhje me këtë ngjarje. As policia e as prokuroria nuk kanë mundur të “identifikojnë” personat që sulmuan dhe dogjën komisariatin e Gjirokastrës. Këta persona nukpatën asnjë problem të dilnin përpara kamerave duke qëlluar me gurë e shkatërruar gjithçka por “shteti” preferoi të bëjë një sy qorr e një vesh shurdh duke harruar ngjarjen. Edhe kur pak kohë më parë një helikopter kaloi rastësisht mbi fshat, ai u përball me plumbat e shumtë të banorëve. Sërish policia nuk mundi të identifikojë askënd, madje tha se nuk u qëllua mbi helikopterin por thjesht u qëllua me armë në ajër teksa helikopteri po fluturonte “rastësisht” mbi fshat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›