E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Këmbanat e alarmit bien për Berishën

Tiranë- Një ditë pas deklaratës së bërë nga diplomati amerikan për hapat pas të qeverisë “Berisha” dhe regresin në vend ka reaguar kreu i PS-së, Edi Rama. Sipas tij, të gjitha këmbanat e alarmit sot bien vetëm për Sali Berishën.

“Alarmi i dhënë dje nga miqtë tanë të mëdhenj amerikanë për kërcënimin e lirisë e të demokracisë në Shqipëri duke bërë përgjegjëse qeverinë e zotit Berisha, është jo vetëm shprehja më kuptimplotë e interesimit të Shteteve të Bashkuara për fatet e Shqipërisë e të shqiptarëve, por edhe kulmi i shqetësimit të shprehur ndonjëherë prej tyre publikisht në këto 17 vjet si pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë”- tha Rama, gjatë një deklarate për shtyp.

Sipas tij, as në vitin e rëndë 1996 alarmi nuk ka qenë kaq kumbues, interesimi për Shqipërinë e shqiptarët kaq i madh dhe shqetësimi për keqqeverisjen e vendit kaq i hapur.

Ato që deri dje i kemi thënë në vijmësi me një shqetësim në rritje të gjithë ne, qytetaret e qytetarët e këtij vendi, në familje a në mjediset shoqërore, gazetarët e analistët në tribunat e shtypit apo njerëzit e opozitës në podiumet e komunikimit publik, qysh dje janë edhe shqetësimi publik i Shteteve të Bashkuara e jo vetëm i tyre.

Shqipëria në NATO, sipas Ramës, s'mund të jetë vendi ku kërcënohen zgjedhjet e lira e ku vullneti i lirë i shqiptarëve e shqiptareve rrezikohet nga po ata njerëz që në vitin e rëndë 1996 projektuan e realizuan krimin shtetëror të manipulimit të votës së popullit dhe sot kontrollojnë Ministrinë e Brendshme për llogari të Sali Berishës.

“Kjo këmbanë bie për Sali Berishën! Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku qeveria i kërkon zyrtarisht OSBE-së të shmanget nga roli i saj kryesor dhe të ulë fuqinë vëzhguese në vend, për t'i pasur duart më të lira që të bëjë në vitin 2009 atë që bëri në vitin 1996!”- tha ai.

Shqipëria në NATO, ka vijuar më tej kreu i PS-së, s'mund të jetë vendi ku pushteti gjyqësor jeton nën kërcënimin konstant të forcave qeverisëse, ku përpara ligjit kryeministri e ministrat e tij pa imunitet nuk janë të barabartë me qytetarët e qytetaret e këtij vendi, ku qeveria harton në errësirë projektligje për t'u mbrojtur nga prokuroria duke izoluar Prokuroren e Përgjithshme dhe marrë liri e kompetenca që i takojnë organit të akuzës. Kjo këmbanë bie për Sali Berishën!

“Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku një gjykatës shqiptar, i cili kthehet në atdheun e tij pas një karriere brilante në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, çohet për verifikim nga spikerja e Kuvendit në polici e prokurori dhe pastaj, së bashku me pesë të tjerë, nuk miratohet për Gjykatën e Lartë nga forcat qeverisëse, vetëm e vetëm, sepse ky grup nuk garanton shërbime të paligjshme për ata që sot qeverisin me korrupsion e papërgjegjshmëri. Kjo këmbanë bie për Sali Berishën!”- ka shtuar më tej.

Shqipëria në NATO, sipas Ramës, s'mund të jetë vendi ku mediat jetojnë nën kërcënimin e xhahilëve të pushtetit kryeministror në të gjitha ndërmarrjet publike që kryejnë shërbime, që nga taksat e tatimet deri te furnizimi me energji e ujë, të cilët në shkelje flagrante të ligjit bëjnë shërbesa me natyrë mafioze duke marrë peng pronarë mediash e botues që nuk e falin e as e shesin lirinë e tyre editoriale. Edhe kjo këmbanë, sipas tij, bie për Sali Berishën!

“Shqipëria në NATO s'mund të jetë vendi ku korrupsioni rritet me shifra e fakte dhe luftohet veç me rrena e fjalë, s'mund të jetë vendi ku popullsia civile bombardohet prej shpërthimit vullkanik të korrupsionit ndërsa kryefajtori kryeministër deklaron se fajin e ka "letra higjenike" Neë York Times, s'mund të jetë vendi ku nxirret "për zhelesh" nga salla e parlamentit një deputet i opozitës pasi është kërdisur me të shara mejhaneje prej kryeministrit dhe ku dënimin e merr i pari ndërsa pafajësinë i dyti. Kjo këmbanë bie për Sali Berishën!”- tha Rama.

Shqipëria në NATO, s'mund të jetë vendi ku zullumi qeveritar trashet përditë dhe ku ata, miqtë e aleatët tanë të mëdhenj, që u bënë garantët e hyrjes sonë në paradhomën e Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe që e dëshirojnë megjithë zemër anëtarësimin tonë të plotë vitin që vjen, të qëndrojnë në heshtje përballë fakteve përditë e më tronditëse të keqqeverisjes së vendit!

Duke kujtuar edhe njëherë Shqipërinë në NATO, Rama ka theksuar se ajo duhet të jetë Shqipëria e lirive dhe të drejtave njerëzore, Shqipëria e konkurencës së lirë dhe e lirisë së informacionit, Shqipëria e barazisë para ligjit, e pushteteve kushtetuese të ndara dhe e ndarjes së qeverisjes nga korrupsioni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›