Tregtarët e Durrësit, kundër kthimit nga ambulatorë në biznese të vogla
>Tregtarët protestojnë ndaj një vendimi të Ministrisë së Financave, i cili detyron vendorët të rrisin disa taksat për shkak të kthimit të ambulantëve në biznese të vogla. Kalimi nga shitës ambulant në biznes të vogël, ka irrituar tregtaret e tregut industrial në Durrës. Rreth 1200 tregtarë të tregut industrial të qytetit të Durrësit janë hedhur dje në proteste para institucioneve vendore. Shkak për protestën është bërë një vendim i Ministrisë së Financave, i cili urdhëron pushtetin vendor që të firmosë kalimin e aktiviteteve ambulante në biznes të vogël.
Së pari tregtarët kanë protestuar përpara bashkisë, ku e kanë vijuar protestën e tyre edhe përpara prefekturës. Ata i kanë kërkuar kryebashkiakut Vangjush Dako dhe prefektit Klodjan Pajuni, që të rishikojnë vendimin për kalimin nga aktivitet ambulant në biznes të vogël, pasi nuk I plotësojnë kushtet që të trajtohen si biznes i vogël. Sipas tregtarëve as ambientet dhe as fitimet që ata marrin nga ushtrimi i biznesit të tyre, nuk i plotësojnë kushtet për t'u deklaruar si biznes i vogël. Sipas tyre, fitimet ditore janë tepër të pakta aq sa nuk mund të mbajnë dot familjet dhe jo të paguajnë taksat e vendosura nga bashkia. Rritja e taksave për ta do të thotë falimentim. Tregtarët punojnë në këtë treg që prej 15 vjetësh dhe kanë paguar çdo ditë detyrimet ndaj bashkisë për vendet e tyre nga 60 deri në 80 lekë sipas hapësirave që ata zënë, ndërsa me kalimin në biznes të vogël atyre u duhet të paguajnë këtu trefishin, pa llogaritur dhe pronarin e tokës, duke qenë se tregu është privat. Të irrituar ata shprehen se do të përshkallëzojnë protestat e tyre deri në zgjidhjen e këtij problemi. Prefekti i qarkut, Klodjan Pajuni, gjatë një takimi të organizuar me një pjesë të kryesisë së tregtarëve, iu ka premtuar rishqyrtimin e problemit, duke iu dhënë një përgjigje përfundimtare më datë 20 shkurt. Nga ana tjetër, kreu I Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, u ka premtuar uljen e taksave vendore të vendosura nga ky institucion me qëllim lehtësimin e shpenzimeve mujore. Pas kësaj deklarate, tregtarët kanë ndërprerë protestën dhe janë drejtuar drejt vendeve të tyre të punës.