E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitën pensionet, kapen dy vëllezërit

Policia e Mallakastrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier ka mundur të zbardhë grabitjen e ndodhur dy ditë me parë në fshatin Çorrush të Komunës Kutë, në Rrethin e Mallakastrës. Sipas burimeve zyrtare të policisë, konfirmohet se autorët e kësaj grabitjeje janë dy vëllezër, banorë të fshatit Çorrush, në banesën e të cilëve u gjetën edhe provat materiale të cilat faktojnë grabitjen.
Policisë së Mallakastrës i janë dashur vetëm dy ditë hetim që të zbardhë një nga grabitjet më të rënda të ndodhura vitet e fundit në zonë. Ka qenë operacioni i koduar "Çorrush 2009" ai që vuri në pranga dy autorët e grabitjes.
Arrestimi
Burimet zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit bëjnë të ditur për gazetën "Shqip" se në orët e para të mëngjesit të së dielës, forcat e policisë së Mallakastrës dhe ato të policisë së Fierit kanë arrestuar shtetasit Gjergji dhe Florian Begaj, përkatësisht 30 dhe 20 vjeç. Vëllezërit Begaj janë banorë të fshatit Çorrush, ku dhe ndodhi grabitja e 800 mijë lekëve të reja.
Burime nga grupi i hetimit tregojnë për "Shqip" se gjatë dy ditëve hetim në komisariatin e policisë janë shoqëruar më shumë se 50 persona, banorë të Rrethit Mallakastrës, kryesisht të zonës ku ndodhi grabitja. "Mes të shoqëruarve kanë qenë edhe dy vëllezërit Begaj. Me anën e përgjimit dhe metodave speciale të hetimit, që janë përdorur mbi të gjithë të shoqëruarit, ne arritëm deri në zbulimin e autorëve", tha për gazetën "Shqip" një nga ekspertët e grupit të hetimit.
Menjëherë pas mbledhjes së provave me anë të përgjimit dhe metodave të tjera speciale të hetimit, policia ka zbarkuar në banesën e dy vëllezërve Begaj, ku ka gjetur edhe armët e zjarrit, me të cilat ata kanë bërë presion mbi punonjësin e "Postës Shqiptare" që shpërndante pensionet e të moshuarve. Burimet policore tregojnë se në banesat e Gjergji dhe Florian Begajt janë gjetur dy armë automatike model 56, si dhe disa krehër me fishekë.
Sasia e lekëve të grabitura, që shkonin në 8 milionë të tilla, nuk është gjetur në banesën e dy vëllezërve të arrestuar dhe policia po punon që ata të tregojnë destinacionin e tyre. Dy akuzat e ngritura për dy vëllezërit Begaj janë "vjedhje me armë" dhe "prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municioneve", parashikuar këto akuza nga nenet 140, 278 dhe 25 të Kodit Penal.
Grabitja
Mesditën e së premtes, punonjësi i "Postës Shqiptare" që shpërndante pensionet në Komunën Kutë, Barjam Islamaj, duke udhëtuar më këmbë nga fshati Kutë në drejtim të fshatit Çorrush, në afërsi të vendit të quajtur "Përroi i Kishës" është sulmuar nga dy persona që më pas ka rezultuar se ishin dy vëllezërit Florian dhe Gjergji Begaj. Të pajisur me maska dhe me armë automatike, dy vëllezërit kanë kërcënuar dhe kanë dhunuar shpërndarësin e pensioneve dhe i kanë marrë atij shumën e 800 mijë lekëve të reja. Ka qenë ky i fundit që ka njoftuar sallën operative të policisë. Angazhimi i policisë së Ballshit dhe i Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit ka mundësuar zbardhjen e kësaj grabitjeje brenda një kohe mjaft të shkurtër.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›