Tregti eksplozivi me barutin e Gërdecit
Trazhgim Sokolaj
Biznesmeni Mihal Delijorgji, i arrestuar për tragjedinë e Gërdecit, dyshohet se ka bërë biznes me eksplozivin që prodhohej me materialet e dala nga demontimi i municioneve luftarake në fabrikën që shpërtheu më 15 mars 2008.Hetimet e Prokurorisë, në dosjen e abuzimeve të zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes me licencat për importin e lëndëve eksplozive, kanë zbuluar interesimin e shtetasve të huaj që kërkonin të blinin materiale të dala nga demontimi i municioneve në Gërdec të Vorës, materiale që dyshohet se kanë qenë lëndë eksplozive TNT. Nga të dhënat hetimore rezulton se në disa raste, kanë qenë shtetas serbë ata që janë interesuar për blerjen e materialeve luftarake dhe në një rast tjetër, i interesuari ka qenë një shtetas spanjoll. Ata kanë negociuar përmes një biznesmeni tjetër shqiptar, pronar i një kompanie, e cila merrej me import lëndësh eksplozive. Sipas hetimeve, dyshohet se bashkortaku i një kompanie të importit të eksplozivit në Shqipëri, person që kishte lidhje me zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes, ka qenë negociatori mes shtetasve të huaj që kërkonin të blinin lëndë eksplozive nga ato që dilnin prej çmontimit të municioneve në Gërdec. Bëhet fjalë për shtetasin Ferdinand Hodo, bashkortak në kompaninë “Geoconsult”, i cili u arrestua në fillim të majit 2008, me akuzat e “korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” të parashikuara nga nenet 244 e 245 të Kodit Penal. Interesimi dhe kontaktet e shtetasve serbë dhe spanjollë për të blerë materiale të dala nga çmontimi në Gërdec, të cilat dyshohet se kanë qenë tritol TNT, është zbuluar për shkak se biznesmeni Ferdinand Hodo ishte në hetim, madje edhe përgjohej për korrupsionin e dyshuar të zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes me dhënien dhe rinovimin e lejeve të eksportit për lëndët eksplozive. Mbajtja në vëzhgim e këtij personi, madje edhe përgjimi i tij, ka zbardhur edhe interesin e vërtetë të shtetasve të huaj që kërkonin të blinin lëndë luftarake që dyshohet se ishin eksploziv, të dala prej çmontimit të predhave në Gërdec. Një fakt i tillë konfirmohet nga vendimi i Gjykatës për masën e sigurisë ndaj Ferdinand Hodos, i cili ndodhet në “arrest shtëpie”. Veç të tjerave, në vendimin zyrtar thuhet shprehimisht se: “në dy raste, personi në hetim Ferdinand Hodo ka krijuar takime me disa shtetas serbë dhe me një shtetas spanjoll, të cilët ishin të interesuar për blerjen e një materiali të dalë nga demolimi i municioneve, demontim që bëhej nga shtetasi Mihal Delijorgji në Gërdec të Vorës dhe që mendohet të jetë T.N.T. Për bisedat e zhvilluara mes tyre, ai ka vënë në dijeni shtetasin Shkëlzen Madani”, thuhet në vendim. Shkëlzen Madani, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Instalimeve dhe të Burimeve në Ministrinë e Mbrojtjes, u arrestua bashkë me Ferdinand Hodon dhe dy persona të tjerë në fillim të majit 2008. Ai u dyshua për korrupsion në dhënien dhe rinovimin e lejeve të import-eksportit për lëndët plasëse të përfituara nga kompanitë “Nitromak Albania” dhe “Geoconsult”, por më pas u la në gjendje “arrest në shtëpi” me vendim të Gjykatës së Lartë, e cila mbajti qëndrim të ndryshëm për këtë çështje nga Gjykata e Faktit dhe Apeli i Tiranës. Është ende e paqartë nëse Mihal Delijorgji ka shitur tek shtetas të huaj lëndë eksplozive apo materiale që përdoreshin për prodhimin e tyre. Ky fakt pritet të zbardhet nga hetimet, të cilat deri më tani kanë zbuluar se baruti i dalë nga çmontimi i predhave në Gërdec, dërgohej jashtë vendit nga Mihal Delijorgji, i cili i shiste këto lëndë te subjekte apo persona të interesuar për prodhimin e lëndës eksplozive për përdorim civil. Një aktivitet i tillë, gjithsesi, sipas zyrtarëve të Prokurorisë shqiptare, mendohet të ketë sjellë fitime të konsiderueshme për biznesin e Delijorgjit. Ai u arrestua tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit, e cila shkaktoi vdekjen e 26 personave dhe plagosi mbi 300 të tjerë, ndërsa pritet të merret në pyetje edhe për shitjen e materialeve të dala nga çmontimi i predhave në Gërdec.
Madani u hetua edhe për Gërdecin
Shkëlzen Madani, i cili nga hetimet ndaj Ferdinand Hodos rezulton se ishte i njoftuar për faktin se Delijorgji çmontonte municione në Gërdec, është hetuar nga Prokuroria. Kjo e fundit gjeti një dokument në Ministrinë e Mbrojtjes, të firmosur nga Madani, në vendimin e ministrisë për çmontimin e municioneve luftarake në ish-repartin e tankeve në Gërdec të Vorës. Prokuroria nuk është shprehur ende nëse në këtë dokument ka shkelje penale.
Nis gjyqi kundër Delijorgjit,u padit nga uzina e Gramshit
TIRANE - Gjykata e Tiranës nisi dje shqyrtimin e padisë së uzinës mekanike Gramsh, kundër firmës së Mihal Delijorgjit, Alba-Demil. Objekti i padisë është sekuestrimi i produkteve të përfituara nga demontimi i predhave, në mënyrë që të paguhen punëtorët e fabrikës. Më parë gjykata e Tiranës ka vendosur sigurimin e padisë, ku gjyqtari Artur Gaxhi ka pranuar kërkesën e drejtorit të uzinës mekanike të armatimit në Çekin të Gramshit, për të bllokuar produktet që kanë dalë nga demontimi i predhave të artilerisë për t’i shitur ato në mënyrë që të shlyhen pagesat e punëtorëve. Pala paditëse argumentoi para gjykatës se gjithçka midis Mihal Delijorgjit dhe Drejtorisë së Uzinës së Armatimit në Gramsh ka nisur më 25 shkurt të këtij viti kur është nënshkruar një kontratë për demontimin e 40.380 predhave të artilerisë 100 milimetër kundrejt një pagese 170 lekë të reja për copë, ose e thënë ndryshe në përfundim të procesit të punës shoqëria “Alba- Demil” do të paguante uzinën me 6.864.600 lekë. Puna për demontimin ka vazhduar deri më 15 mars, kur shpërtheu uzina e Gërdecit dhe firma “Alba-Demil”, presidenti i saj Mihal Delijorgji dhe drejtori i përgjithshëm, Dritan Minxolli, u morën në përgjegjësi penale. Deri në këtë moment në Gramsh ishin demontuar 14.095 predha, duke dalë si produkte 4.310 kilogramë bakër; 17.665 kilogramë tritol dhe 136 kilogramë ekzogjen. Ndërsa detyrimi i firmës “Alba-Demil” për uzinën e Çekinit duhet të ishte 2.396.150 lekë të reja, të cilat nuk janë paguar ende. Bllokimi i produkteve të predhave është parë si e vetmja zgjidhje për të shlyer rrogat e prapambetura të punëtorëve. fa.ma.